për partnerë dhe udhëheqje serioze në qeveri

Ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Kirsten D. Madison, deklaroi sot se dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri, ndërsa shtoi se SHBA ka nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze për të pasur sukses.

Ajo këto komente i bëri me rastin e dhënies donacion të softuerit për identifikim të shenjave të gishtërinjve, i njohur si AFIS.

“AFIS është një sistem i bazës së të dhënave penale që përpunon, modifikon, kontrollon, gjen dhe ruan gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve për të identifikuar kryerësit e krimeve. Përdoret për përpunimin e informatave nga skenat e krimit, për të ndihmuar qendrat e ndalimit dhe kalimet kufitare dhe për të koordinuar shkëmbimin e informacionit me organet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si INTERPOL. Ky donacion i SHBA-së përfaqëson një investim prej miliona dollarësh në Kosovë, si një partner i fuqishëm i zbatimit të ligjit që po forcon përkushtimin e vet për sundimin e ligjit”, tha ajo.

Madison theksoi se asistenca për AKF-në është vetëm një pjesë e vogël për sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, ku janë përfshirë fonde për Policinë e Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Inspektoratin Policor të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Ministritë e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.

“SHBA i bën këto investime në Kosovë me shpresën se Kosova do të mbetet një partner për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon. Krimi i organizuar transnacional ndikon në të gjitha vendet dhe të gjithë përfitojmë kur arrijnë të lehtësojmë bashkëpunimin dhe të përmirësojmë aftësitë e kombeve të tjera. Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të veta të sundimit të ligjit, legjislacionit dhe të efikasitetit gjyqësor. Por besimi i publikut mbetet i ulët. Dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojnë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri dhe institucionet më të reformuara dhe qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë. Ne duam t’ju ndihmojmë të bëni përparim dhe ne kemi nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze në qeveri, në gjyqësor, Kuvend, polici dhe në mesin e popullatës për të qenë të suksesshëm”, tha ajo.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se Kosova është ndër shtetet e pakta që ka një donacion të tillë.