Për një muaj në Afganistan janë vrarë 90 civilë

Në sulmet e kryera muajin e kaluar në Afganistan janë vrarë 90 civilë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në sulmet ajrore dhe bombardimet në të gjithë vendin, të kryera nga pjesëtarët e forcave të sigurisë, NATO-s dhe organizatave terroriste, u vranë 90 civilë dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë.

Analisti ushtarak Atik Rahman tha se operacionet kundër organizatave terroriste janë intensifikuar që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes afgane erdh Asadullah Halid.Ai beson se që atëherë, forcat e sigurisë kanë intensifikuar operacionet e tyre kundër terroristëve dhe se civilët janë gjithashtu viktima të sulmeve ajrore që zhvillohen gjatë natës.

Sipas të dhënave të përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Afganistan, vitin e kaluar numri i civilëve të vrarë ka qenë më i madh. 

Më shumë se 3.800 persona u vranë dhe më shumë se 7.180 civilë u plagosën.

Ekspertja për të drejtat e njeriut, Patricia Gossman beson se çdo i treti person, i cili është vrarë me mjete shpërthyese është nën moshën 18 vjeç.

Ajo paralajmëroi se vdekshmëria e civilëve në Afganistan është rritur.

“Në sulmet ajrore, një numër i madh i viktimave janë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Në muajt e fundit ka patur një rritje të sulmeve ajrore nga avionët amerikanë dhe forcat ajrore afgane”, tha Gossman.