Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) kanë raportuar se të paktën 6.700 muslimanë besohet të jenë vrarë brenda një muaji në rajonin e Arakanit, kur ushtria e Mianmarit nisi operacionet në gusht të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së në një hulumtim që MSF ka zhvilluar në lidhje me refugjatët në Bangladesh ka zbuluar se 9.000 muslimanë të Arakanit kanë vdekur në Mianmar mes periudhës 25 gusht dhe 24 shtatorit, nga të cilët 6.700 prej tyre “ka shumë të ngjarë” të kenë qenë viktima të dhunës.
MSF ka njoftuar se 69 për qind e viktimave të dhunës të 6.700 muslimanëve të Arakanit parashikohet se janë vrarë duke u qëlluar, 9 për qind duke u djegur dhe 5 për qind thuhet të jenë vrarë duke u rrahur.
Organizata duke tërhequr vëmendjen se të paktën 730 nga të vrarët prej muslimanëve të Arakanit kanë qenë nën moshën 5 vjeç, ka njoftuar se ka siguruar informacionin që 59 për qind e këtyre fëmijëve janë vrarë duke u qëlluar, 15 për qind duke u djegur, 7 për qind duke u rrahur dhe 2 për qind duke shkelur mbi mina.
Ndërkohë MSF ka bërë të ditur se ka arritur në 647 mijë numri i muslimanëve të Arakanit që kanë kaluar nga Mianmari në Bangladesh dhe se kjo për hulumtimin “është shenja më e qartë e dhunës së përhapur që kanë aplikuar” autoritetet e Mianmarit.
Gjithashtu MSF ka paralajmëruar edhe në çështjen e qasjes shumë të kufizuar të institucioneve humanitare në rajonin e Arakanit.
Në muajin e parë pas operacioneve, ushtria e Mianmarit njoftoi se ishin vrarë rreth 400 persona të cilët ajo i ka cilësuar kryesisht si terroristë.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara (OKB), numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh që nga 25 gushti për t’u arratisur nga persekutimi dhe masakrat ka arritur në 626 mijë. Theksohet se mijëra muslimanë të Arakanit janë masakruar si dhe fshatrat e tyre janë djegur plotësisht.
Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo lumenjve.
Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.