Për Kadarenë, në vend të përshpirtjes!

Vjollce Berisha

Shikuar në prizmin e letërsisë kombëtare, vepra e tij i ka ndryshuar raportet midis letërsisë europiane dhe shqipe. Ia ka siguruar letërsisë shqipe statusin e dhënësit, statusin e një letërsie të përkthyer denjësisht, të qarkulluar në rrethet më elitare letrare dhe kjo është arsyeja e parë e mirënjohjes sonë. Arsyeja tjetër është kënaqësia që na e ka dhënë një jetë të tërë, vepër pas vepre, me të gjithë krijimtarinë e tij.

Vjollcë BERISHA, Tetovë

Me ikjen e tij, në mëngjesin e parë të korrikut, bota e ndjeshme letrare mori përnjëherë, si me magji, shijen e hidhur të vargut kadarean “Veç një mëngjes kur u gdhiva pa ty/ dhe bota krejt e zbrazët m’u duk” që kushedi sa herë e kishim ndier në palcë veç e veç e në rrethana të ndryshme, por tani po e shijonim kolektivisht dhe kjo boshësi kishte një emërues të përbashkët: Ismail Kadarenë, shkrimtarin që i kishte mbushur deng raftet tona të librave, imagjinatën tonë dhe ndjenjat më të larta të krenarisë kombëtare me vite të tëra.

Trishtimi e boshësia që lënë gjithnjë kumtet e mortit m’u shfaqën në trajtë poezie. I pari mendim qe vargu i njohur “Një shenjë ndoshta të pakuptueshme/ do t’u bëj të gjithëve e do t’ik”. E kisha lexuar që nga vitet e ’90-ta qindra herë këtë varg si diçka të pashmangshme, si një fat që u përkiste të gjithëve pa përjashtim, por çuditërisht pa e përfshirë edhe vetë krijuesin e tij. Vargu, si e tërë poezia “Kohë e pamjaftueshme”, që e lexova disa herë pa ndërprerje në vend të një përshpirtjeje, për herë të parë më tingëllonin tepër reale dhe më bënin të ëndërroja për shenjën që mund të kishte bërë shkrimtari para se të ikte. Çfarë mund të kishte shprehur? Cilët qenë ata që qenë përpjekur ta zënë kumtin e pathënë? Ç’kishte bërë me gjithë ato gjëra, me gjithë atë barrë që e kishte grumbulluar me vite në rrugën drejt “varrit humbak”. “Atje poshtë” nuk merreshin të gjitha… Të tëra që i kisha shijuar si art dikur, sot që ai vërtet qe nisur në përtejbotë, më tingëllonin reale dhe të trishta. S’kisha asnjë dëshirë të shkruaja nekrologji për shkrimtarin tim të preferuar të letërsisë shqipe, s’kisha dëshirë të mendoja për veprën epokale të tij, as për biografinë e pasur, që për gjysmëshekulli kishte ecur në teh shpate. Doja vetëm të sillesha rreth poezisë dhe kohës së pamjaftueshme për t’i harruar gjërat që i ka mësuar gjatë jetës. Ç’kishte bërë vallë me frëngjishten, plazhet, Danten, vajzat e me tërë atë barrë, teksa muzgu po afrohej ndërkaq?

Në vitin 2024, pra sivjet, bëhen 70 vjet qëkur Ismail Kadare e pa emrin e tij të shkruar mbi një kopertinë libri, në një kopertinë me tamam, që nuk ishte nga ato kopertina që i krijonte vetë, duke i ilustruar e duke i kthyer në formate librash të vërtetë, qoftë dorëshkrimet e veta e qoftë librat që i dashuronte e që pasi i lexonte pafundësisht, i përshkruante fjalë për fjale me dorën e vet, siç kishte bërë për shembull me “Makbethin” në kohën e magjepsjes së madhe pas Shekspirit, kur ende as vetë nuk e njihte shkrimtarin që kishte zënë fill në ndërgjegjen e tij. Veprat e jashtëzakonshme si “Ftesë në studio”, “Pesha e kryqit”, “Çështje marrëzish”, “Mëngjeset në Kafe Rostant”, janë përplot rrëfime të këtilla origjinale plot sharm, që flasin për dellin e shkrimtarit te fëmija i vogël, i pavetëdijshëm për rrezen e gjerë të efektit që do ta bënte pas më pak se njëzet vjetësh.

Ndërkohë që veprat artizanale të krijuara nga dora vetë ishin pjesë e kujtimeve të fëmijërisë, ndonëse gazetat shpeshherë kishin filluar të botonin vjersha të djalit të talentuar nga qyteti më jugor i Shqipërisë, libri i vërtetë letrar i botuar erdhi më 1954, në kohën kur Ismaili ishte nxënës në gjimnazin gjirokastrit. Titullohej “Frymëzime djaloshare” dhe nuk di përse gjithnjë këtë titull e lexoj si një ndrydhje, ndoshta si ndrydhjen a frikën e parë nga lexuesi ose paralajmërimin modest: “Mbani poshtë pritjet se këto nuk janë asgjë më shumë se frymëzimet e çastit të një djaloshi”. I tillë s’ka për të qenë më kurrë në krijimtarinë e tij. Që nga dy veprat e ardhshme do të zërë fill dallga e madhe letrare e Ismail Kadaresë, me tituj me princesha, ëndërrime pa fre e shekuj që i zotëron si pronë, dallgë kjo që pa u mbushur dekada do të mbulojë tërë letërsinë shqipe të kohës.

Nëse romani modern shqiptar fillon me ardhjen në Shqipëri të një gjenerali dhe prifti për të kryer detyrën më atipike: mbledhjen e eshtrave të ushtarëve italianë të Luftës së Dytë Botërore, poezia me fytyrë të re, si për nga motivet, ashtu edhe për nga modeli i ligjërimit e gjuha poetike, vjen në vitin 1961, dy vjet para “Gjeneralit”. Është kjo koha kur edhe vetë Kadareja, i pjekur tanimë edhe si moshë, pasi ka mbaruar studimet në Tiranë, ka bërë një përvojë të bujshme më tepër personale sesa letrare në institutin “Gorki” të Moskës, me një bagazh të pakrahasueshëm leximesh në shpinë, me një hapje deri në përthithje drejt letërsisë gojore shqipe, ishte gati për të shpërthyer dhe shpërtheu në një libër të veçantë poetik, siç është “Shekulli im”, të cilin, ndonëse të vetëdijshëm për telashet që mund të sjellë, e botoi me ndihmën e mikut të tij dhe drejtorit të shtëpisë së vetme botuese të asaj kohe, Drago Siliqit.

Kjo vepër qe arsyeja kryesore e debatit të madh që filloi në mbledhjen e gjerë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, më 11 korrik 1961, për të vazhduar edhe gjatë në faqet e gazetës “Drita”. Pa hyrë në detaje për arsye hapësire, mund të them, sikurse libri, edhe vetë ky debat është i rëndësishëm për historinë e letërsisë shqipe, pasi duke u diskutuar për të renë e të vjetrën, për ruajtjen e traditës apo përqafimin e novatorizmit, siç po bënin tanimë poetët e rinj Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi, e që nuk shihej mirë nga brezi i vjershëtorëve të pasluftës, të cilët poezinë e bukur të Mjedës, Nolit, Migjenit e Lasgushit e kishin shndërruar pothuajse në një pamflet, në një raportim shterp nga terreni, në një fletëreklamë për shtetin e ri socialist, për diellin që e pjek bukën socialiste, për rrymën elektrike, gruan në prodhim e tema të tilla të përsëritura, pa ndonjë gjetje figurative e as pa vënë në dukje asgjë nga mundësitë shprehëse të gjuhës.

Kryesisht pas kthimit nga Moska, ku shkrimtarit të ri, gjeniut të heshtur, i qe hapur një horizont krejtësisht i ri jete, ku do të zinte fill vëllimi i tretë poetik dhe më i rëndësishmi i veprës së tij, jo për shkak të vlerës letrare, por për shkak rolit paradigmatik që pati në letrat shqipe. Me këtë vëllim, të botuar në vitin 1961, Kadareja jo vetëm që e sfidoi poezinë e vet të deriatëhershme, por e sfidoi edhe tërë poezinë shqipe të pasluftës, duke lidhur fillin te uragani i tij i pandërprerë, Migjeni i letërsisë qytetësë.

Kur them letërsi qytetëse, natyrshëm më vjen ta ndërlidh plotgojë pohimin se atë që bëri Migjeni me letërsinë tonë të viteve të ’30-ta, e bëri Kadareja këmbëngulshëm e në mënyrën më gjithëpërfshirëse në fillim të viteve ’60-të, një herë me vëllimin “Shekulli im” (1961), më pas me “Gjeneralin” (1963), prej nga jo vetëm u hap dera e madhe e viganëve të letërsisë për djalin e nëpunësit gjirokastrit të Gjykatës, por edhe u vu një gurthemel poetik qytetar, nga vepra në vepër, duke e përfshirë kështu tërë krijimtarinë e Ismail Kadaresë. Kadareja ishte shkrimtari i parë i brezit të tij i lindur në qytet. Ky fakt nuk ndikoi në veprën e tij vetëm sa për të prodhuar dy-tri vepra kanonike me temë nga qyteti i lindjes, siç janë “Kronikë në gur” (1971), “Çështje marrëzish” (2005), “Qyteti pa reklama” (2001), “Breznitë e Hankonatëve” (1977)…, por duke i dhënë veprës së tij një tis qytetarie, e ktheu tërë letërsinë shqipe në qytet, e shndërroi në një letërsi urbane, duke e shkëputur nga mitet e vonuara romantike të madhështimit të malit, malësorit, kullës, e duke i zëvendësuar këto me qytetet më të shpeshta që dalin në veprën e tij e që lidhen me jetën e shkrimtarit, siç janë Gjirokastra, Tirana, Moska e Parisi. Ky kthim i letërsisë në qytet, ky urbanizim letrar pas pothuajse dy shekuj idilizimi të jetës fshatareske dhe kalorsiake, tipik për shoqëritë e mbyllura, është gjithashtu një ndryshim me karakter epoke që ia jep për të satën herë të drejtën akëcilit që paqortueshëm të flasë për Kadarenë si shkrimtar epokal.

Ky qe përkushtimi i tij përtej gjeniut të shkrimtarit. Kadareja, si të thuash, theksoi vijat e qytetarisë së zbehur të një Shqipërie kockë e lëkurë, duke e zënë fillin e shkëputur me vendosjen e luftës së klasave dhe përmbysjes së mënyrës së fisme të jetës, pjesë e së cilës ishte edhe familja e tij e vjetër, dera e madhe e Kadarenjve, me shtëpinë që datonte nga shekulli XVII si ngrehinë e që, si e tillë, hynte në shtëpitë private më të vjetra të ruajtura të Ballkanit, Shqipërinë që u përkiste shekujve të ndritur të Renesansës, Shqipërisë së kohës kur europeizmi ishte rruga e vetme që po krijohej rishtazi.

Fryma qytetare, përtej vendosjes së ngjarjeve në qytet dhe përtej mendësisë qytetare, është edhe një zhbirim i përpiktë i jetës, duke nisur nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra, e te të gjitha qytetet që dalin qoftë edhe epizodikisht në veprën e tij. Ky zhbirim na i sjell qytetet me tërë përparësitë dhe mangësitë e tyre, me tërë kujtesën kolektive, për të cilat vazhdojnë të bëhen studime në kuadër të kadareologjisë tanimë.

Bie fjala, në veprën monumentale të “Kronikës”, e cila zgjatet edhe në tre-katër vepra të mëvonshme, qyteti i gurtë i Gjirokastrës është ai që dikton jetët. Përtej atmosferës së fëmijërisë dhe gjurmëve të biografisë së autorit, nxjerrim pa fund fije me të cilat mund të thuret lirshëm historia e një qyteti, me kohët e ngërthyera në të. Për shembull, “shtëpi centaur” i ka cilësuar Kadareja ngrehinat thellësisht urbane në qytetin e lindjes së tij. Ato ngjajnë si botë të mbivendosura në vertikalitetin e qytetit. Në pragun e secilës shtëpi, të përshkruar në një sërë romanesh me temë nga qyteti i gurtë, ndalon bota e jashtme me rregullat e saj. Brenda pragut ngritet flamuri i privatësisë absolute, i ligjeve të serta, i organizimit deri në perfeksionizim, që shfaqet bie fjala me skenën pothuajse surreale të ekzistimit të burgut në shumë shtëpi të vjetra. Ligjësi kjo që rregullon deri në detaje jetën në këtë qytet që nga erosi i pashpallur, thashethemnajën, martesat e hershme, profesionet e veçanta, mortet, sëmundjet, dashuritë në kohë lufte e deri te ngjarjet më intime që zënë vend në kujtesën e plakave me tejqyrë, që në të vërtetë janë memorja qytetëse e vendit.

Kur flasim për Kadarenë, flasim për njërin nga romancierët më të shquar europianë dhe kjo ka për bazë universin e tij krijues me mbi 80 vepra të zhanreve të ndryshme, që lexohen e studiohen në më se 40 gjuhë të botës. E tërë kjo famë rri në këmbët e gamës së jashtëzakonshme tematike kadareane, mbi strukturën gjuhësore të tij dhe narracionin e denjë për një shkrimtar të përmasave të tij, për të cilin qe i vetëdijshëm edhe vetë Ismaili, pasi pasiguria e fillimviteve ‘50 të frymëzimit djaloshar, pa kaluar as një çerekshekulli u shndërrua në guxim sipëror të krijimit të veprave arketipale që janë tejet të pranishme në veprën e Kadaresë e që paraqesin një sfidë për cilindo shkrimtar, pasi të shkruash mbi gjurmët e një teksti që ka zënë vend në vlerat e mëdha të letërsisë së përbotshme paraqet sipërmarrje të vështirë për një krijues, sidomos me autoritetin letrar që kishte Kadareja. Parë nga perspektiva e sotme, mund të themi se të gjitha romanet arketipale të Kadaresë, si ato që e kanë të definuar paratekstin (siç janë: “Eskili, ky humbës i madh” (2006), “Dosja H” (1981), “Laokonti” (1975), “Përbindëshi (1965)”), si ato që dalin me paratekst të fshehtë (si: “Kështjella” (1970), “Vajza e Agamemnonit” (2003), “Pasardhësi” (2003), “Lulet e ftohta të marsit” (2000), “Prilli i thyer” (1978)) janë një sukses uliksian më vete, me mitet që zbërthehen, zhvishen e rikrijohen si te Xhojsi.

Ajo që përditë e më shumë na bind është vështirësia e studimit mbi receptimin e veprës së Kadaresë, jo vetëm për faktin e gjerësisë tematike, jo vetëm për faktin se ai vjen nga një vend me histori të veçantë, siç është Shqipëria, ku Kadareja qe vetëm 10 vjeç kur u vu regjimi i Hoxhës e nuk mendonte që do ta përjetonte në gjallje rënien e diktaturës komuniste, jo vetëm pse qe i shtrënguar të kërkonte azil në Francë dhe të bënte mbrojtësin më të madh të Shqipërisë e Kosovës, ta ndërkombëtarizonte çështjen shqiptare dhe historinë e saj në rrethet elitare europiane, por për shkak të shtresave të pafundme dhe lidhjeve të padukshme që ka vepra e tij me mitologjinë, historinë e lashtë dhe atë të re, si dhe me botën njerëzore. Pasi në fund të të gjithave vepra kadareane është një hartë gjigante e njerëzores, është një përshkrim i detajuar i botës njerëzore, një paraqitëse e vlerave më fisnike të njeriut, një vepër thellësisht humane në fund të shekullit më të rëndësishëm dhe me tentime paradoksalisht të shumta për dehumanizim të qenies njerëzore.

Shikuar në prizmin e letërsisë kombëtare, vepra e tij i ka ndryshuar raportet midis letërsisë europiane dhe shqipe. Ia ka siguruar letërsisë shqipe statusin e dhënësit, statusin e një letërsie të përkthyer denjësisht, të qarkulluar në rrethet më elitare letrare dhe kjo është arsyeja e parë e mirënjohjes sonë, arsyeja tjetër është kënaqësia që na e ka dhënë një jetë të tërë, vepër pas vepre, me të gjithë krijimtarinë e tij. Tani e tutje nostalgjikët do ta rigjejnë veten e tyre të dikurshme kur vepra e tij ua hapte botën “përtej”, studiuesit do t’i mprehin brisqet për studime më të përimta, ndërsa unë do të vazhdoj të shpresoj për ndonjë shenjë të fundme, ndonjë botim befasues lënë në dorëshkrim për ta ndier si kumbon zëri i tij prej shkrimtari kur ka ca kohë që ai e ka lënë heshturazi këtë botë, siç e bëri Markezi sivjet me veprën “Shihemi në gusht”, duke i lënë lexuesit të vet në çdo skaj të botës një përshëndetje magjike, të përtejbotshme. /revistashenja