Ballina Autorë Opinione Për Kadarenë, e vërteta shqiptare është thënë me gjysmë zëri

Për Kadarenë, e vërteta shqiptare është thënë me gjysmë zëri

Sevdail Demiri

Përmes shkrimtarisë së tij kryesisht të natyrës prozaike dhe publicistike, del në pah karakteri i lapsit të guximshëm, por edhe dinak të Ismail Kadaresë. Ai bën kritika të hapura ndaj politikave të gabuara të diktaturës komuniste shqiptare, duke sjellë reagime të ashpra të të gjithë klasës politike, deri në ndalimin e botimit dhe shpërndarjes së veprës së tij. Por, ai këto kritika i amortizon në mënyrë perfekte përmes një miklimi të butë ndaj liderit të Partisë, duke e fituar çuditshëm “mëshirën” e tij si asnjë shkrimtar tjetër i kohës së tij…

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Emra të njohur të letërsisë botërore, Ismail Kadarenë e kanë radhitur në mesin e pesë deri në dhjetë shkrimtarët më të mëdhenj të globit! E për një komb relativisht të vogël brenda humnerës ballkanike, ky do të ishte një nga mrekullitë më të mëdha të bashkëkohësisë.

Ismail Kadareja nuk është më në mesin e të gjallëve fizikisht, por ai është pjesë e pandashme e historisë kulturore të shqiptarëve për dy etapat e fundit që i jetoi – komunizmin dhe demokracinë.

Kadareja është ndër emrat e paktë që shpërtheu meridianët botërorë në kohën kur shteti shqiptar, brenda të cilit ai po krijonte letërsinë e tij, po ndërtonte mure herë me njërin e herë me aleatin tjetër, për të përfunduar në izolimin total që zgjati deri në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar.

Dhe, pavarësisht kundërthënieve që shënoi vepra e tij në disa aspekte të fushës së historisë, ideologjisë apo religjionit, Kadareja mbetet shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.

Kadareja dhe historia

Leximi i veprës së Kadaresë përbën një nga ndjesitë më të veçanta, jo vetëm se të lexuesit të informuar dhe pasionant, por edhe lexuesit të rëndomtë, meqë letërsia e tij njëkohësisht është edhe informacion i bollshëm për ngjarje dhe personazhe të shumta nga e kaluara jonë. Në të vërtetë, vepra e Kadaresë është e mbushur përplot me ngjarje e personazhe historike, të cilët lëvizin nga njëra kohë në tjetrën. Madje mund të thuhet se në shumicën absolute të veprave të tij, mbizotërojnë motivet shqiptare nga politika, historia, tradita, mitologjia. Ai është një njohës i shkëlqyeshëm i së kaluarës, të cilën e shtron në mënyrë aq të thellë dhe të argumentuar në veprat e tij jo të pakta edhe për nga sasia.

Në një nga romanet e tij të para, “Kronikë në gurë”, veçse jep një rrëfim biografik personal dhe familjar, ai njëkohësisht shtron një tablo historike të vendlindjes së tij, Gjirokastrës, dhe të realitetit shoqëror shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, përtej glorifikimeve të propagandës partiake.

Duke qenë një shkrimtar me një imagjinatë të thellë e të jashtëzakontë, përmes gjuhës së alegorisë ai flet drejtpërdrejtë për një sistem të largët, ndërsa në të vërtetë, shënjestron sistemin e kohës (“Pallati i ëndrrave”). Mark Alemi i kohës së Perandorisë Osmane ishte ai nëpunësi i diktaturës komuniste shqiptare, i cili në pështjellimin e mijëra dokumenteve merrej me “ëndrrat” e njerëzve të rëndomtë nga të gjitha cepat e atdheut, të cilët do të mund ta cenonin kultin e liderit të paprekshëm.

Kadareja kishte shumë episode ku ai merrej në mënyrë të drejtpërdrejtë me sistemin politik të kohës, si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër, duke qenë një supervizor i mprehtë i defekteve që prodhonte sistemi dhe, çuditërisht, duke i shpëtuar burgut edhe atëherë kur kundër tij çoheshin peshë me mijëra lexues dhe puthadorë partie. Dy romanet e tij më të komentuara të kohës, “Dimri i vetmisë së madhe“ dhe “Koncert në fund të dimrit”, flasin për dy momentet kyçe të historisë politike të diktaturës komuniste shqiptare: njëri për prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Rusinë dhe tjetri për prishjen e marrëdhënieve me Kinën. Nuk mund të gjendet asnjë përshkrim tjetër më objektiv i realitetit shoqëror të kohës sesa ai në dy romanet e lartpërmendura, ku përmes situatave të imëta konkrete dalin në pah probleme gjigante me gjithë kompleksitetin e tyre.

Kadare, Kosova dhe kundërthëniet

Përmes shkrimtarisë së tij, kryesisht të natyrës prozaike dhe publicistike, del në pah karakteri i lapsit të guximshëm, por edhe dinak, i Ismail Kadaresë. Ai bën kritika të hapura ndaj politikave të gabuara të diktaturës komuniste shqiptare, duke sjellë reagime të ashpra të gjithë klasës politike, deri në ndalimin e botimit dhe shpërndarjes së veprës së tij. Por, ai këto kritika i amortizon në mënyrë perfekte përmes një miklimi të butë ndaj liderit të Partisë, duke e fituar çuditshëm “mëshirën” e tij si asnjë shkrimtar tjetër. Prandaj, për studiuesit e letërsisë është një problem i madh nëse do ta radhisin në mesin e disidentëve apo në mesin e të përkëdhelurve të pushtetit.

Në agimin e demokracisë, ai ndër të parët u largua nga atdheu i tij, Shqipëria, për çka u kritikua egërsisht. Por, ama, nga qendra e Parisit ai u bë një nga avokatët më të mëdhenj të çështjes shqiptare. Atje ku zhvilloi një veprimtari të bujshme letrare, Kadareja u imponua fuqishëm edhe në botën akademike dhe politike franceze, duke krijuar miq të mëdhenj gjithandej, duke e ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, e në veçanti atë Kosovës.

Në këtë mënyrë, Ismail Kadareja u bë një vrojtues vigjilent i plagëve të kombit që po rridhnin gjak në prag të mileniumit të ri. Kosova ishte një nga impenjimet e tij të kahershme. Qysh në vitin 1966 shkruan një poezi me titullin “Kosova”, ku aq bukur dhe thjeshtë e përshkruan gjendjen e rëndë të saj: “Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë; Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua; Ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit, diç thanë; Një vetëtimë që kaloi përbri m’u duk se ma bëri me dorë…”.

Kadareja nuk është si një duzinë shkrimtarësh që nuk kanë ndjesinë e fateve të kombit të tyre. Ai është shkrimtar i cili me gjithë qenien e tij involvohet brenda këtij fati dhe bëhet pjesë e rëndësishme e tij. Mjafton të lexosh ditarin e tij për luftën e Kosovës “Ra ky mort e u pamë”, për të parë dimensionin e gjerë të angazhimit të tij të drejtpërdrejt në zhvillimet politike të kohës, e veçanërisht të vitit të rëndë 1999, ku mbase edhe rastësisht u shkrua fati i ardhshëm i Kosovës në një konferencë ndërkombëtare që gjendej jo larg vendbanimit të Kadaresë në Paris (Konferenca e Rambujesë). Kadareja ishte në komunikim të vazhdueshëm me delegacionin e Kosovës dhe me kreun e UÇK-së, të cilëve u sugjeronte nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes, e cila, siç dihet, rezultoi me bombardimin e Serbisë nga NATO dhe me çlirimin e Kosovës.

Se sa ka qenë i angazhuar dhe insistues që të gjitha shtresat intelektuale të kombit shqiptar të japin kontributin e tyre në kauzën e drejtë të çështjes së Kosovës flet edhe në një intervistë të pazbardhur deri më tani, dhënë enkas për radion lokale “Zëri i Kumanovës” dhe gazetarin Bashkim Murtezi, në tetor të vitit 1997. Ishte koha e demonstratave studentore të Kosovës, ku shkrimtari i madh kritikonte qasjen e intelektualëve shqiptarë në rrethanat e vështira që po kalonte kombi ynë.

“Kosova po jeton çaste vendimtare për fatin e saj. Prandaj tërheqja e intelektualëve të saj nga ky problem do të ishte një turp për ta… Intelektualët shqiptarë janë treguar pasivë dhe nuk kanë ditur ta mbrojnë ashtu siç duhet të vërtetën shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kur them këtë, nuk them se duhet të ishin nacionalistë, por ta mbronin të vërtetën, të dëshmonin ta vërtetën për Kosovën, sepse e vërteta për Kosovën është në favor të shqiptarëve dhe ata nuk kanë nevojë për gjë tjetër, veçse për të vërtetën. Për fat të keq, e vërteta shqiptare është thënë me gjysmë zëri, kurse serbët e kanë thënë me zë të plotë, të dyfishuar e të dhjetëfishuar, gënjeshtrën e tyre dhe, për fat të keq, është kjo gënjeshtra që ka mbizotëruar në propagandën botërore…. Ngjarjet e fundit bënë që Europa u shkund menjëherë, meqë u vunë në dyshim ato përrallat serbe se çka ndodhë atje, përrallat për terrorizmin, përrallat për Kosovën si djep i nostalgjisë serbe, përrallat për Betejën e Kosovës, të gjitha këto u lëkundën. Mirëpo këto i lëkundi vetë Prishtina, vetë Kosova. Këto nuk mundi t’i lëkundin ca deklarata të thata andej-këndej, këto lëkunden në mënyrë frontale. Prandaj ishte një sukses i madh që pati një zgjim, por ne nuk duhet të jemi të kënaqur me këtë, ne duhet ta çojmë deri në fund të vërtetën, që bota ta dijë atë që ndodhë në Kosovë. Ajo që ndodhë në Kosovë është e palejueshme për moralin e sotëm europian dhe qytetërimin europerëndimor, i cili është bazuar mbi parimet e lirisë dhe demokracisë … ”, ishte shprehur gjeniu Kadare.

Në rastin e luftës së vitit 2001 në Maqedoni, Kadareja kishte qëndrim më të përmbajtur, duke u dhënë më shumë rëndësi bisedimeve sesa armëve. Gjatë një takimi joformal me gazetarë në Korçë, në fund-maj 2001, ai ishte cituar të ketë thënë që “shqiptarët e Maqedonisë kanë të drejtë në të gjitha kërkesat e tyre. Por, ata duhet të ulin armët e të bisedojnë në rast se duan të arrijnë realizimin e kërkesave”. Dhe, në të vërtetë, pas dy-tre muaj luftimesh, sërish erdhën në shprehje bisedimet, me ndërmjetësim ndërkombëtar, që rezultoi me Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.

Ismail Kadareja kishte një qasje joparimore kundrejt besimeve fetare të shqiptarëve, duke favorizuar një fe kundrejt tjetrës, gjë që kishte hasur në reagime të shumta, sidomos në debatet e gjata me akademik Roxhep Qosjen. Megjithatë, kjo qasje ishte e kuptueshme kur kihej parasysh fryma dhe rrethanat ku ai jetoi dhe veproi një kohë të gjatë (i lindur në një familje intelektuale jo shumë fetare bektashiane, i rritur dhe edukuar në komunizmin stalinist, i specializuar në Rusi, ndërsa në demokraci jetoi e veproi kryesisht në Francën me vlera të krishtera e të tjera). Por, pavarësisht të gjitha këtyre qëndrimeve, që shpeshherë janë edhe kundër bindjeve të shumicës së kombit shqiptar, megjithatë trashëgimia e jashtëzakonshme letrare që Kadare la pas dhe ngritja e namit të emrit shqiptar nëpër botë i bën të pavërejtshme të gjitha këto “prapështi” të tij eventuale.

Një nam i tillë, si i Kadaresë, zor më se na vjen për së dyti! /revistashenja

Exit mobile version