Urdhëri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është një nga parimet themelore të Islamit, që ka për qëllim ruajtjen e shoqërisë nga shthurja dhe përhapja e së keqes.
Urdhëri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja merr një rëndësi të veçantë gjatë këtij muaji të dalluar, sepse është një kohë kur besimtarët janë më të prirur për vetëpërmirësim dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën e drejtë.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik:
“Ju jeni populli më i mirë që është nxjerrë prej njerëzimit: urdhëroni për të mirë, e ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.”
• Ali Imran: 110
I Dërguari i Allahut Muhamedi (salAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:
”Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta largojë atë me dorë, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhë, e nëse as këtë nuk mundet, atëherë (se paku ta urrej) me zemër. Por, kjo është shkalla më e ulët e imanit.”
(Transmeton Muslimi)
Si zbatohet ky parim në praktikë?
• Me butësi dhe urtësi– Këshillimi duhet të bëhet me urtësi, jo me dhunë apo ashpërsi.
• Duke u nisur nga vetja – Një besimtar duhet të zbatojë këtë parim fillimisht tek vetja dhe familja e tij.
• Duke pasur dije rreth gjërave që urdhërojmë ose ndalojmë –
Nuk duhet të urdhërohet për të mirë apo të ndalohet e keqja pa pasur njohuri të qarta e të bazuara rreth tyre.
• Inkurajimi për namaz dhe adhurim – Gjatë Ramazanit, besimtarët nxisin njëri-tjetrin të falin namazin, të lexojnë Kuran dhe të bëjnë vepra të mira
• Përhapja e fjalëve të mira – Besimtarët inkurajohen të përdorin fjalë të buta dhe të shmangin fjalët e këqija.
Përfundim
Në Ramazan, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është një detyrë më e lehtë për t’u zbatuar, sepse besimtarët janë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre.
Ky muaj është një mundësi për t’u përmirësuar dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin që të afrohemi më shumë me Allahun e Madhëruar dhe me njëri tjetrin.
Hoxhë Sadik Avdiu