Republikanët francezë emëruan ish-ministren, Valerie Pecresse si kandidaten e tyre të parë grua për presidente.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve paraprake të partisë, Pecresse fitoi me 61 për qind të votave kundër Eric Ciotti, një deputet nga jugu i Francës.
“E djathta është kthyer”, tha Pecresse.
“Ne do t’i kthejmë vendit tonë unitetin, dinjitetin dhe krenarinë e tij”, shtoi ajo.
Partia e qendrës së djathtë për herë të fundit kishte si president Nicolas Sarkozy.
Sipas sondazheve aktuale, nuk është e sigurt që republikanët do të arrijnë në raundin e dytë të zgjedhjeve në prill 2022.
Për momentin, favorit është presidenti aktual Emmanuel Macron, i cili me shumë gjasa do të kandidojë sërish.
Populistja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen është aktualisht në vendin e dytë në sondazhe.
Zgjedhja e Pecresse si kandidate e republikanëve konsiderohet surprizë.
Midis pesë kandidatëve ishin ish-negociatori kryesor i BE-së për Brexit, Michel Barnier dhe Xavier Bertrand, president i këshillit rajonal të Hauts-de-France.
Pecresse është aktualisht presidente e këshillit rajonal të rajonit Ile-de-France. /atsh