Zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar janë hapur për herë të parë në Medvegjë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se kjo zyrë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe lartësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë.
Postimi i tij:
Sot, me mbështetjen e drejtpërdrejtë politike, financiare dhe institucionale të Shqipërisë, për herë të parë janë hapur zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë! Kjo zyrë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe lartësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë. Hapja e kësaj zyre ka qenë detyrim kombëtar i kahmotshëm i Shqipërisë, por tani është edhe imponim i disa rrethanave politike: procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve ka zvogëluar dukshëm peshën politike të faktorit shqiptar në Medvegjë. Kjo zyrë, në bashkërendim të plotë me Shqipërinë, duhet të punojë fort në kundërshtimin e politikave të fshirjes krejtësisht të qëllimshme të adresave të shqiptarëve. Medvegja është pjesë e patjetërsueshme e Luginës së Preshevës dhe puna jonë për mbështetjen e faktorit shqiptar edhe në këtë qytet do të vazhdojë me përkushtim të plotë. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me programin e plotësimit të shkollave me literaturë shqipe dhe trajnimit të mësuesve shqiptarë në Medvegjë. Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë mbështetjen politike dhe institucionale për të gjithë shqiptarët në rajon.