Selam alejkum we rahmetullahi we berekatuhu të nderuar vëllezër dhe motra.
I lutem Allahut të Madhëruar të jeni mirë të gjithë, familjarisht e me ç’keni për zemër.
Këtë të hënë, 09.09.2024 fëmijët tanë iu drejtohen dyerve të shkollave, fakt I cili meriton sado pak vëmendje dhe interes.
Meriton vëmendje dhe interes nga ne si prindër, nga fëmijët tanë si konsumatorë të informacioneve dhe dijeve që marrin në këto institucione dhe nga ne si shoqëri që mezi pret që bijtë e sajë të përfundojnë me sukses vitet e predispozuara për t’i konsumuar në shkollim e për tu kthyer në djepin e shoqërisë e për ta çuar përpara pozitivisht atë.
Mendoj se janë disa çështje që i ndihmojnë këta fëmijë e të rinjë që të realizojnë me sukses misionin e kërkimit të dijes dhe të mirëformimit të tyre.
Nijeti është shpirti i çdo pune dhe veprimtarie. Ai garanton jo vetëm pranimin e punës por edhe efektin dhe bereqetin e saj ndër breza.
Në kuadër të kësaj teme duhet theksuar se nijeti nuk është çështje abstrakte apo thjesht ndjenjë apo bisedë me veten, por është synim, objektiv, qëllim.
Si i tillë ai duhet konkretizuar tek çështje objektive që mundësojnë mirëbërjen në dynja dhe shpërblimin e Allahut në botën tjetër.
E si për shembull ai mund të konkretizohet në si më poshtë:
1- Njohja e së vërtetës me sa më shumë dimensione të saj. Sa më shumë shtohet dija aq më shumë zgjerohet sipërfaqa e së vërtetës brenda poseduesit të saj.
Urdhëri I parë kuranor “Ikra-lexo”, synon çdo dije që mundëson zbulimin e së vërtetës e për rrjedhojë, domosdoshmërisht është e dobishme.
2- Aftësimi për të qenë i zoti i vetes, e për të kërkuar rizkun hallall. “Edhe kafshata që e vë në gojë të familjarëve të tu është sadaka” thotë Profeti a.s.
3- Aftësimi për të qenë i dobishëm për vete dhe për të tjerët.
4- Aftësimi për ta çuar përpara këtë popull e këtë vend.
Kujdes tek kjo pikë e fundit, vëllezër dhe motra.
Shumëkujt prej nesh mund ti duket demagogji të komunikuarit me fëmijët me këtë temë. Por faktikisht nuk është ashtu.
Materializimi i jetës njerëzore, veç asaj se ka kultivuar individualizmin në nivele të rrezikshme, ka dëmtuar tek njeriu bashkohor edhe idealizmin e tij, apo të drejtën e tij për të aspiruar dhe ëndërruar për të ardhmen e vetes, të shoqërisë e të vendit.
Rolin kryesor për përballimin e kësaj vale e kanë prindërit dhe prindërimi.
Le të flasim me fëmijët tanë qartë dhe shtruar edhe për këtë lloj teme dhe le t’i edukojmë me frymën e përgjegjësisë karshi të tashmes dhe të ardhmes së popullit dhë vendit tonë.
Le ta edukojmë këtë brez, dhe brezat që vijnë, me bindjen se ata mund dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve të vendit tonë dhe pjesë e ndryshimit pozitiv, dhe t’i shpëtojmë një herë e përgjithmonë nga kthetrat e pesimizmit dhe frymës negativiste e inferiore.
Por mos harrojmë se e gjitha kjo është proces dhe jo moment, edhe pse fillim shkollimi është momenti më i volitshëm për të diskutuar këtë temë.
Në këtë kuadër, vëllezër dhe motra, më lejoni të jem i drejtpërdrejtë me ju në lidhje me një temë që vazhdimisht i komplekson fëmijët tanë.
Bëhet fjalë për atë që quhet rezultate, nota apo mesatare.
Në shumë raste sillemi me fëmijët tanë, në lidhje me këtë temë, sikur Allahu të na I ketë dhënë fëmijët për ti kultivuar si dhjeta marrës e jo për ti edukuar si robër të Allahut që edhe fjala, edhe fryma edhe vepra e tyre sjell vetëm dobi e mirësi.
Është paradoks i madh fakti që në shoqërinë tonë, dhe jo vetëm, aktorët kryesorë të korrupsionit janë, në shumë raste, dhjeta marrësit, madje të shkolluarit në universitetet më me zë ndërkombëtarisht.
Faktikisht fajin nuk e ka dhjeta apo mesatarja e lartë, por pikërisht nijeti me të cilin janë motivuar që në vegjëlinë e tyre, për të marrë dijen.
Dhjeta, të dashur vëllezër dhe motra, jo domosdoshmërisht e sjell përmirësimin e shoqërisë, kurse mirë orientimi dhe mirëmotivimi I kërkimit të dijes sjell domosdoshmërisht përmirësimin e shoqërisë, edhe nëse nuk arrin dhjetën, por edhe pse nuk gabohem nëse bëj lidhje shkak – pasoje mes mirëmotivimit, pra nijetit të saktë dhe dhjetës apo rezultateve të larta.
Është realisht e dhunshme, në shumë raste, kur çdo muaj takon mësuesen, mësuesin, kujdestare, apo mësuesit e lëndëve dhe fjalia e parë me të cilën fillohet biseda është:”djali apo vajza jote ka marrë, nuk ka marrë, kaq dhjeta, nënta, pesa apo katra”, ndërkohë që ti, apo ai, pret të të thotë:”Zotëri, Zonjë, djali, apo vajza jote, po ecën, apo nuk po ecën, ashtu siç duhet drejt së qënurit një njeri me vlera dhe aftësi për mirëbërje. Tek djali, vajza, jote kam zbuluar apo vërejtur këto cilësi pozitive apo negative, apo këto aftësi, paaftësi, dhe tregues që duhen marrë në konsideratë që tani, apo në kohën e duhur, për t’i zhvilluar apo përmirësuar”
Le të jemi për pakë momente empatik me fëmijët tanë, e të përfytyrojmë se si ndjehen ata kur konstatojnë se respekti, vlerësimi, konsiderata, dashuria dhe afrimiteti ynë me ta varet nga dhjeta apo katra!!! Vallë si do ndjehemi?!!!
Më lejoni t’jua lehtësoj sado pak të menduarit në këtë temë.! Do të ndjehemi të zhgënjyer, të ç’vlerësuar dhe të injoruar, sepse brenda nesh si “fëmijë” e dimë se kemi shumë vlera dhe kapacitete përtej dhjetës apo katrës, mirëpo “prindërit tanë” të verbuar nga sedra e dhjetës apo kartës, nuk i shikojnë apo konstatojnë dot. Për rrjedhojë fëmija do të shkojë në shkollë me kokë ulur dhe miniera e kapaciteteve të tij të pafundme dalëngadalë do të mbytet një herë e përgjithmonë.
Mirëpo, për të qenë të drejtë, në krijimin e kësaj retorikë, apo narrative, realisht të neveritshme, kemi kontribuar të gjithë ne si prindër dhe mësues, duke mos qenë të qartë se përse realisht i dërgojmë fëmijët në shkollë.
Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, kur të shikojmë apo konstatojmë se një apo disa mësues, apo shkolla, iu intereson tek fëmijët tanë nota apo mesatarja, le ti themi vetes: neve na interesojnë fëmijët tanë të mirëmotivuar e të drejtë motivuar në kërkimin e dijes për të qenë robër të Zotit të aftë e të dobishëm në dynja dhe fitues të kënaqësisë së Allahut në botën tjetër.
Përkryerja
Profeti a.s urdhëron e thotë:”Allahu e don atë rob i cili kur e kryen një punë e përsos atë”
Kjo është një vlerë e domosdoshme për të qenë i arrirë në dynja dhe ahiret. Prandaj le ti kujtojmë vetes dhe fëmijëve tanë se një punë e bërë jo mirë është si një punë e pa bërë fare, prandaj më mirë pak e sakt se sa shumë e përlumë dhe se koha e nxënies së dijes është e artë, prandaj çka mësojnë le ta mësojnë mirë sepse kështu ndërtojnë bukur e mirë personalitetin e tyre të ardhshëm.
Koha
Profeti a.s urdhëron e thotë:”Shumë prej njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj dy mirësive: Shëndeti dhe Koha”
Prandaj në këtë kuadër le të mos harrojmë t’ia kujtojmë vetes dhe fëmijëve tanë se bashkë me kohën ikën shpejt edhe jeta jonë, prandaj le ta shfrytëzojmë mirë atë duke e organizuar mirë e në mënyrë të mirë orientuar.
Kështu, mendoj, të dashur vëllezër dhe motra, fëmijët tanë do të shkojnë me qejf në shkollë, sepse së pari e dinë pse shkojnë dhe së dyti do të dashurohen pas dijes, të nxënit, të mësuarit, të edukuarit dhe të aftësuarit.
Allahu na i ruajtë, na i drejtoftë dhe na i udhëzoftë nga e vërteta fëmijët tanë, dhe na i bëftë të denjë e të devotshëm për Krijuesin e tyre, veten e tyre, familjen e tyre, popullin dhe vatanin e tyre.
Kurse dhjetën nëse nuk do e arrijnë si numër do e arrijnë si vlerë, Inshallah.
Me shumë respekt
Sabaudin Jashari
Kryetari I Shoqatës Kulturore Ardhmëria