Për gjashtë muaj, Serbia thotë se në Kosovë eksportoi mbi 95 milionë euro mallra

Serbia po vazhdon eksportin masiv të mallrave të saja në territorin e Republikës së Kosovës.

Siç u bë e ditur sot nga Oda Ekonomike e Serbisë, në Kosovë, në gjashtë muajt e parë  të vitit 2020 janë eksportuar gjithësej  95.4 milionë euro mallra serbe, transmeton lajmi.net.

Vetëm gjatë muajit qershor,  eksporti i mallrave serbe në Kosovë ndërkaq kapi vlerën e 23.4 milionë eurosh.

Krahasuar me para dy vjetësh kur nuk ishte taksa 100% e vendosur, Oda Ekonomike në Beograd ka thënë se është arritur të kthehet 58 % e eksportit të mallrave.

Shkaktarë kryesorë sipas akterëve ekonomik në Serbi për uljen e eksportit, është taksa e vënë para dy vitesh nga qeveria Haradinaj, e cila më pas u hoq për t’u vënë reciprociteti, vendim ky që po ashtu u pezullua nga qeveria Hoti.

Ndërkaq, në gjashtë muajt e parë shteti serb importoi 8.2 milionë euro mallra.