Për gjashtë muaj e parë të 2016-së në Kosovë janë raportuar 509 raste të dhunës në familje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për Telegrafin se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për hetimin e rasteve të dhunës në familje.
“Në kuadër të PK-së, si në nivelin qendror dhe në nivel lokal ekzistojnë zyrtarët policor të cilët merren vetëm me raste të dhunës në familje dhe të njëjtit kanë trajnime të nevojshme për qasje të duhur dhe hetimin e rasteve të tilla”, tha Kelani për Telegrafin.
Ai bëri të ditur veprimtaria e Policisë kundër kësaj dhunës në familje është e përqendruar në dy drejtime: në parandalim (preventivë) dhe në luftimin e dhunës familjare dhe trajtimin, mbrojtjen, përkrahjen dhe strehimin e viktimave.
“Për të parandaluar dhe për të ndikuar në mënyrë preventive Policia ka të hartuara planet operative policore që dalin nga detyrat e policisë të përcaktuara me Ligjet në fuqi të Kosovës dhe nga Rregulloja e punës së policisë. Hetuesit policorë në kuadër të njësive për hetimin e dhunës në familje vazhdimisht kontaktojnë me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe informojnë për pasojat që sjellë dhuna në familje. Nëse dhuna në familje ndodh duhet të raportohet, se organet kompetente në këtë rast Policia seriozisht do ta trajtojnë çdo rast dhe viktimat do të kenë përkrahje dhe ndihmë të plotë”.
Ai tha se duhet bërë me dije se dhuna është e patolerueshme kudo që të ndodhë dhe kryesit e saj rreptësisht do të ndiqen dhe do të marrin dënimin e merituar.
Kelani sqaroi se personeli i policisë përgjigjet në të gjitha rastet e dhunës familjare të raportuara.
Më tej u tha se ndër veprimet kryesore që ndërmarrin janë ofrimi i ndihmës dhe përkrahja e nevojshme e viktimave të dhunës familjare, duke bashkëpunuar ngushtë me disa subjekte si Njësinë për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave, Departamenti i Drejtësisë, Qendrat për Punë Sociale (QPS), Qendrat Mjekësore, Shoqata të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë strehim etj.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka organizuar marshin me moton “Nuk ka arsyetim!”.