Kemi dëshirë që anëtarëve të grupit të Deçanit që janë konvertuar rishtazi në katolicizëm ti vijmë në ndihmë e ti tregojmë se çfarë thotë katolicizmi rreth Islamit, në mënyrë që herë tjetër të dinë se si duhet të flasë një katolik rreth Islamit.
Teksti i mëposhtë është nga dokumenti i Këshillit të dytë të Vatikanit, Nostra Aetate, aprovuar dhe publikuar në vitin 1965.
Ky dokument, i cili konsiderohet si një nga dokumentet më të rëndësishme të Kishës Katolike në lidhje me Islamin, në paragrafin e tij të tretë thotë :
Kisha çmon edhe myslimanët të cilët adhurojnë Perëndinë një, të gjallë e që rron, të dhembshur dhe të plotfuqishëm, Krijues i qiellit dhe i tokës, i cili u ka folur njerëzve. Ata bëjnë çmos që t’u nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Tij, madje edhe atyre të fshehta, pikërisht sikurse iu nënshtrua Abrahami, të cilit feja islame i referohet me kënaqësi. Edhe pse ata nuk e njohin Jezusin si Hyj, ata gjithëqysh e përnderojnë Atë si pejgamber. Nderojnë nënën e tij të papërlyer, Marinë; dhe herë herë e evokojnë atë me devotshmëri. Krahas kësaj, presin ditën e gjykimit, kur Perëndia do të vërë në peshore të gjithë njerëzit e ringjallur. Po ashtu ata çmojnë jetën morale dhe adhurojnë Perëndinë, mbi të gjitha me lutje, lëmoshë dhe agjërim.
Ndonëse në vazhdën e shekujve jo pak mospajtime dhe armiqësi kanë ngritur krye mes të krishterëve e myslimanëve, Koncili i shenjtë i nxit të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të ushtrojnë me sinqeritet mirëkuptimin e përbashkët, si edhe të mbrojnë e promovojnë së bashku drejtësinë sociale, vlerat morale, paqen dhe lirinë për të gjithë njerëzimin.
Nga Dr. Rezart Beka