Për çfarë e ngriti zërin Muhamed Mursi në mbrojtjen e tij?

Nga ESAT FIRAT

Ish-presidenti egjiptian Mohamed Morsi dje ndërroi jetë në sallën e gjyqit të qeverisë së ardhur në pushtet me puç ushtarak në ditën e 8-vjetorit, kur fitoi presidencën me zgjedhjet demokratike të mbajtura për herë të parë më 17 qershor 2012 në Egjipt.

Gjatë gjykimit të tij, në disa raste Morsi është ofenduar ndërsa në disa raste nuk është lejuar të flasë por ai kurrë nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i guximshëm.

Presidenti i parë i Egjiptit që erdhi në detyrë me zgjedhje demokratike Morsi, në disa prej gjykimeve ai u dënua me vdekje, në disa u dënua me dhjetëra vjet burgim dhe shumë padi të tjera të ngritura kundër tij vazhdojnë. Ndaj proceseve gjyqësore ai vuri theksin se janë të padrejta duke reaguar me fjalët “Unë jam ende presidenti i vendit. Sipas Kushtetutës, gjykatat e zakonshme nuk kanë autoritetin për të hapur hetim kundër meje”.

Së fundmi, ai u mbajt në një qeli të vetmuar në burgun Burj El-Arab të sigurisë së lartë, i shkëputur plotësisht nga bota e jashtme, duke u lënë në izolim të plotë madje duke mos u lejuar shumë herë të takohej me ekipin e mbrojtjes dhe familjen e tij.

Deklaratat e Morsit në gjykata

Gazetari i AA-së ka përpiluar mbrojtjet, deklaratat kryesore në dhjetëra gjyqe të zhvilluara të grushtit ushtarak ndaj presidentit Morsi i cili erdhi në detyrë me zgjedhje demokratike në Egjipt.

Gjatë një takimi me familjarët e tij për herë të parë në shtator 2013 në burgun ku ishte vendosur pas arrestimit nga shtëpia e tij pas grushtit ushtarak të kryer nga Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Abdel Fattah el-Sisi më 3 korrik 2013, presidenti Morsi kishte thënë që “ishte mirë, që ishte i vendosur të vazhdonte qëndrimin e tij kundër grushtit ushtarak deri në frymën e fundit dhe se ndiqte nga afër të gjitha zhvillimet”.

Morsi nuk pranoi të mbante “veshjen e bardhë”, të cilën autoritetet egjiptiane i kishin bërë të detyruar për të burgosurit ndërsa gjatë seancës në nëntor 2013, ai duke bërë “shenjën Rabia” i tha kryetarit të trupit gjykues, “presidenti juaj legjitim jam unë dhe ju jeni i pavlefshëm”.

U vesh për herë të parë me veshjen e bardhë

Në janar 2014 presidenti Morsi u vërejt për herë të parë me veshjen e bardhë që është e detyruar për të burgosurit gjatë seancës në lidhje me çështjen e quajtur “bastisjet e burgjeve” ku ai gjykohej bashkë me 21 të dyshuar të tjerë.

Duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues brenda një kafazi prej xhami Morsi tha se “Unë jam presidenti i këtij vendi, nuk njoh asnjë praktikë të kryer që nga 3 korriku e deri më sot”.

Në momentin që u hap zëri brenda kafazit prej xhami, Morsi tha: “Trupi gjykues nuk kishte autoritetin për ta gjykuar, se ishte presidenti legjitim i vendit dhe se nuk e kishte idenë pse ndodhej brenda kafazit prej xhami”.

“Administrata e grushtit të shtetit do të rrëzohet dhe liderët e saj do të japin llogari”

Në prill 2014 gjatë seancës gjyqësore me akuzën për “spiunazh” duke i kërkuar gjyqtarit që t’i përcjellë popullit përshëndetjet e tij Morsi tha se “Administrata e grushtit të shtetit do të rrëzohet dhe liderët e saj do të japin llogari”.

Kryetari i trupit gjykues, Shaban Esh-Shami reagoi duke paralajmëruar të dyshuarit e tjerë të cilët u mblodhën përreth Morsit në fillim të gjyqit në Akademinë e policisë në Kajro.

Duke vënë në dukje se po pengon gjykimin, Shaban iu drejtua Morsit me fjalët: “Doktor Morsi, përqendrohu tek ne, na harrove duke përshëndetur të dyshuarit e tjerë, a më dëgjon?”.

Ndërsa Morsi ndaj këtij reagimi të gjyqtarit Shaban u përgjigj “Ju lutem që t’i përcillni përshëndetjet e mia popullit egjiptian. Përshëndes revolucionet paqësore. Administrata e grushtit të shtetit do të rrëzohet dhe liderët e saj do të japin llogari”.

Morsi mesazh “revolucionarëve të lirë”

Në mesazhin e tij të shkruar për popullin e Egjiptit në qershor 2014, ish-presidenti Morsi i larguar nga detyra e tij me puç ushtarak bëri thirrjen për “Vazhdim të luftës për një revolucion të bardhë paqësor”.

“Allahu është dëshmitari im. Gjatë detyrës sime nuk jam ndalur së luftuari kundër korrupsionit dhe krimit. Kam patur edhe të drejta edhe gabime. Nuk kam tradhtuar dhe nuk do të tradhtoj amanetin që më keni dhënë. Vitet e mia i kam shpenzuar duke luftuar me krimet e tyre dhe do ta vazhdoj këtë përsa kohë që jetoj”, ka deklaruar Morsi në mesazhin e tij të postuar në llogarinë e tij në Facebook.

“Qëndroni në unitet, mos u grindni me njëri-tjetrin. Sepse më pas frika bie në mesin tuaj dhe fuqia juaj, shteti juaj ju ikën”, ka thënë mes tjerash në mesazhin e tij Morsi i cili ka vazhduar më tej:

“O popull revolucionar! Duke vlerësuar luftën kundër këtyre vështirësive të mëdha në revolucionin tonë të shenjtë, Allahu përgatiti revolucionarët e vërtetë, burrat dhe gratë që Egjipti krenohet përballë kombeve të tjera. Revolucionarë të lirë! Vazhdoni të ecni në rrugën e revolucionit të bardhë paqësor si një mal pa u përkulur. Unë jam i bindur se revolucioni së shpejti do të përfundojë me fitore”.

“Masat e njerëzve që qëndrojnë prapa jush i kanë njoftuar botës heshtjen në teatrin e emërimit të udhëheqësit të grushtit të shtetit. Popujt e lirë të botës nuk e njohën këtë regjim mëkatar puçist të ndërtuar mbi gënjeshtra dhe gjithashtu asnjë që është i lirë nuk do ta njohë”, kishte theksuar Morsi duke vënë në dukje marrjen e zgjedhjeve presidenciale nga ish-ministri i Mbrojtjes, Abdel Fattah el-Sisi.

“Kam besim në lavdinë e Allahut, në drejtësinë e kauzës tonë dhe tek ju”

Thirrjen e tij ndaj “revolucionarëve të lirë” për të “vazhduar luftën e revolucionit të bardhë paqësor” Morsi e kishte plotësuar “Të rinjtë revolucionarë të Egjiptit. Keni bërë që bota t’iu shikojë ju me admirim. Ju jeni të rinjtë e të sotmes, të nesërmes, të tashmes dhe të ardhmes. Madje, ju jeni edhe atdheu. Unë besoj se me vendosmërinë dhe këmbënguljen tuaj, ju do ta ngrini flamurin e këtij revolucioni dhe do ta çoni atë në fitore krenare. Revolucion, revolucion. Durim, durim. Që nga tani shoh teksa i shpjegoni brezave të rinj se si e keni fituar këtë luftë me durim dhe duke sakrifikuar. Gjaku i martirëve, lufta e të plagosurve dhe të paraburgosurve nuk do të jetë e kotë. E di që kjo është një rrugë e vështirë, por unë kam besim në lavdinë e Allahut, në drejtësinë e kauzës tonë dhe tek ju”.

Morsi mesazh mbështetës për Gazën

Ish-presidenti i zgjedhur Morsi dhe të dyshuarit e gjykuar për të njëjtën çështje dhanë një mesazh mbështetjeje për Rripin e Gazës, i cili ishte subjekt i sulmeve izraelite në vitin 2014.

Në gjykimin e zhvilluar në korrik 2014 për çështjen e njohur si “Bastisja e burgjeve” e cila u ngrit pas puçit të shtetit në vend për të cilën gjykoheshin 131 persona në mesin e të cilëve Morsi dhe të dyshuar të tjerë, pasi hynë në sallën e gjyqit ata brohoritën me sloganin “Lebbejk ej Gazza (Jemi me ty/ jemi pranë teje Gaza)” si dhe bënë “shenjën Rabia” e cila është edhe simbol i protestave kundër grushtit të shtetit.

“Jemi të shqetësuar për situatën shëndetësore të Morsit”

Këshilli Revolucionar Egjiptian (ERC) në një deklaratë në mars të vitit 2016 njoftoi se ata ishin të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të presidentit të parë të zgjedhur Morsi, i cili u largua nga detyra nëpërmjet grushtit ushtarak.

ERC, pasi Morsi në atë kohë, nuk mori pjesë në dy seancat e fundit, i dërgoi një mesazh me shkrim kryesisht Parlamentit Evropian, parlamenteve ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut, ku i njoftoi se janë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Mohamed Morsit.

Mesazhi i Morsit: “Ndodhem këtu për atdheun dhe fenë time”

Në një mesazh të dërguar nga burgu në qershor 2016, Morsi tha se nuk ka ndryshuar qëndrimi i tij ndaj grushtit ushtarak në vitin 2013 dhe praktikat e mëvonshme.

Në një deklaratë të bërë nga familja e tij, u theksua se “Qëndrimi i presidentit Morsi nuk ka ndryshuar ndaj grushtit ushtarak në vitin 2013 dhe praktikat e mëvonshme. Morsi duke thënë që ‘Ndodhem këtu për atdheun dhe fenë time‘ i përcjell përshëndetjet e tij atyre që e duan dhe kërkon që të luten për atdheun”.

“Ndodhem në sallën e gjyqit, por po gjykohem si në mungesë”

Në gjykimin e zhvilluar në nëntor 2017, Morsi tha se “Reflektimet brenda kafazit prej xhami më shkaktojnë marramendje. Për shkak të sistemit të ndriçimit brenda me duket sikur po gjykohem në mungesë”.

Gjithashtu pasi mori fjalën në seancën e gjykimit të çështjes “Bastisja e burgjeve” kundër 28 të dyshuarve që u zhvillua në Gjykatën Penale të Kajros, Morsi kritikoi edhe kushtet e gjykatës duke thënë: “Ndodhem në sallën e gjyqit, por po gjykohem si në mungesë. Nuk mund ta shikoj trupin gjykues. Gjithashtu nuk e di nëse edhe ata më shikojnë apo jo. Edhe avokatët e mi mbrojtës mund t’i dëgjoj vetëm me ndërprerje. Që prej disa muajsh nuk kam takuar as edhe avokatët e mi”.

Ndaj presidentit të zgjedhur Morsi dhe të larguar nga detyra me grushtin e shtetit më 3 korrik në Egjipt më parë janë ngritur padi me akuzat “bashkëpunim me Lëvizjen Hamas, organizatën Hezbollah në Liban dhe rojet revolucionare iraniane me qëllim dëmtimin e interesave të shtetit egjiptian”, “Nxitje të ngjarjeve të dhunshme që rezultuan me vdekjen e protestuesve përpara rezidencës presidenciale”, “planifikim të sulmeve me qëllim për të liruar mijëra të burgosur që ndodheshin në burgjet Vadi Natrun, Ebu Za’bel dhe El-Merj gjatë ‘rrëzimit të 25 janarit‘ i cili i dha fund periudhës së presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak”.

Ndërroi jetë në sallën e gjyqit

I larguar nga pushteti me grushtin ushtarak në Egjipt, 67 vjeçari Morsi ndërroi jetë në sallën e gjyqit ku po gjykohej me akuzën për “spiunazh”.

Mohamed Morsi u zgjodh president i parë në historinë e vendit me zgjedhje në mënyrë demokratike në vitin 2012 pas një revolucioni popullor në vitin 2011, që e detyroi ish-presidentin Hosni Mubarak të japë dorëheqjen.

Më 3 korrik të vitit 2013 Morsi u rrëzua nga detyra përmes një puçi ushtarak nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.