Për certifikimin e kandidatëve me të kaluar kriminale, IKD kërkon hetime ndaj KQZ-së

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ka shkelur ligjin duke certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale, respektivisht me dënime gjyqësore të formës së prerë, të cilët garojnë për asamblistë dhe Kryetar të Komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

“IKD vlerëson se vendimi i KQZ-së për të certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale në tri vitet e fundit, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë paraqet skandal, për të cilin fton Prokurorinë e Shtetit të hetojë vendimmarrjen e KQZ-së, e cila përkundër të dhënave zyrtare nga KGJK për kandidatët me të kaluar kriminale, ka bërë certifikimin e tyre apo nuk ka ndërmarr veprime konform ligjit për të pastruar listat e kandidatëve për asamblistë apo Kryetar të komunave, të cilëve në bazë të ligjit iu mohohet e drejta për të kandiduar në zgjedhjet komunale të përcaktuara me 22 tetor 2017”, thuthet në njoftimin e IKD-së.

Bazuar në të dhënat zyrtare janë mbi 7000 kandidatë për të cilët KQZ ka kërkuar të dhëna për të kaluarën e tyre kriminale në Gjykatat Themelore të Republikës dhe janë mbi 600 kandidatë të cilët kanë aktgjykime dënuese përfundimtare ose gjenden në procedura penale.

IKD fton partitë politike që të japin shembull në drejtim të ofrimit të kandidatëve si për asamblistë si për kryetar të Komunave, të cilët nuk kanë probleme me ligjin, përfshirë edhe përballjen e tyre me procedura gjyqësore, pa i paragjykuar për fajësinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë partitë politike do të dërgojnë mesazh se përmes ofrimit të kandidatëve të pastër dhe ofrimit të programeve janë të interesuara dhe përkushtuara për qeverisje të mirë.