𝐏ë𝐫 𝐚𝐪 𝐤𝐨𝐡ë 𝐬𝐚 𝐩𝐫𝐢𝐣ë𝐬𝐢𝐭 tuaj 𝐣a𝐧ë 𝐭ë 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭ë
Nga Kajs ibn Ebi Hazim përcillet se ka thënë:
“Ebu Bekri shkoi te një grua nga fisi Ahmes, e cila quhej Zejneb, dhe e pa që ajo nuk fliste.
Ai tha: ‘Pse nuk flet?’
Ata i thanë: ‘Ka marrë një zotim gjatë haxhit për të mos folur.’
Ai i tha asaj: ‘Fol, sepse kjo nuk lejohet. Kjo është prej veprimeve të kohës së injorancës (xhahilijetit).’
Ajo filloi të fliste dhe i tha: ‘Kush je ti?’
Ai tha: ‘Një burrë nga muhaxhirët.’
Ajo tha: ‘Nga cilët muhaxhirë?’
Ai tha: ‘Nga fisi Kurejsh.’
Ajo tha: ‘Nga cili bark i Kurejshëve je?’
Ai tha: ‘Ti pyet shumë! Unë jam Ebu Bekri.’
Ajo tha: ‘Sa kohë do të qëndrojmë në këtë fe të mirë që Allahu na solli pas xhahilijetit?’
Ai tha: ‘Do të qëndroni në të për aq kohë sa prijësit tuaj qëndrojnë të drejtë për ju.’
Ajo tha: ‘Kush janë prijësit?’
Ai tha: ‘A nuk kishit në fisin tuaj krerë dhe të parët tuaj që ju urdhëronin dhe ju i bindeshit atyre?’
Ajo tha: ‘Po.’
Ai tha: ‘Ata janë prijësit tuaj mbi njerëzit.'”
(Buhariu 3834)
Teksti besoj është i qartë, megjithatë duke qenë se na u kërkua edhe për ata që mund ta keqkuptojnë atë, për ta sqaruar më tepër po themi:
Gruaja kur e pyeti Ebu Bekrin për vazhdimësinë e mirësive që solli kjo fe kishte për qëllim gjendjen e Islamit siç ishte në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam). Ebu Bekri iu përgjigj asaj se kjo mirësi e kjo gjendje do të vazhdojë për sa kohë që prijësit tuaj janë të drejtë; kjo sepse me drejtësinë e tyre zbatohen ligjet, e drejta shkon në vendin e vetë dhe ka mbarëvajtje të jetës shoqërore dhe fetare. Njerëzit janë në fenë e mbretërve të tyre, thuhet në një urtësi të popullit. Kështu që kjo tregon rëndësinë e drejtësisë së pushtetarëve dhe udhëheqësve, sepse ata janë edhe model për drejtësinë në popull.
Hoxhë: Justinian Topulli