Pentagoni: SHBA-ja do të rrisë kapacitetin ushtarak në Lindjen e Mesme

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) ka njoftuar se ndërsa vazhdon tensioni me Iranin, në Lindjen e Mesme do të vendoset prani shtesë ushtarake, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi se ata kanë kaluar në veprim për të “mbështetur stabilitetin, për të parandaluar sjelljet agresive dhe për të mbrojtur rrjedhën e lirë të tregtisë” në Lindjen e Mesme.

Parnell tha se në përputhje me udhëzimet e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, kapaciteti ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme do të rritet.

Ai shtoi se avionë shtesë luftarakë do të vendosen në rajon, duke rritur kështu kapacitetin e mbrojtjes ajrore të SHBA-së.

Më tej, Parnell gjithashtu tha se sekretari Hegseth ka deklaruar se “do të ndërmarrin veprime nëse Irani kërcënon interesat e SHBA-së në rajon”.

– Thirrjet dhe kërcënimet e Trumpit ndaj Iranit për negociata

Më 7mars, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se i shkroi një letër udhëheqësit iranian, Ayatollah Ali Khamenei, në të cilën kërcënon dhe bën thirrje për negociata.

Khamenei, nga ana e tij, tha se SHBA-ja nuk dëshiron t’i zgjidhë problemet me kërkesë për negociata, por kërkon të imponojë kërkesat e veta, të vendosë dominimin dhe se Irani nuk do ta pranojë këtë.

Letra iu dorëzua Iranit nga Emiratet e Bashkuara Arabe disa ditë më vonë dhe Irani njoftoi se kishte dërguar përgjigjen e tij ndaj letrës nëpërmjet Omanit më 27 mars.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, tha se nuk do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në për sa kohë që Trump të vazhdojë kërcënimet e tij dhe se janë gati për bisedime indirekte përmes ndërmjetësve. Araghchi theksoi se në kundërshtim me kërkesat e Trumpit, ata do të zhvillojnë vetëm negociata për çështjen e programit bërthamor dhe se çështja e kapacitetit mbrojtës të vendit të tij nuk ishte e hapur për negociata.

Trump në një deklaratë për mediat e vendit kërcënoi se do të bombardonte Iranin “në një mënyrë që nuk është parë më parë” nëse nuk arrin marrëveshje me SHBA-në.

Udhëheqësi iranian Khamenei tha se ata nuk shohin asnjë mundësi që Trump të zbatojë kërcënimet e tij për sulm dhe se ata do t’i përgjigjen fuqishëm çdo sulmi.