Ballina Lajmet Pentagoni mbështet Turqinë lidhur me Idlibin

Pentagoni mbështet Turqinë lidhur me Idlibin

Pentagoni tha se mbështet Turqinë në përpjekjet e saj për të mborjtur kufijtë e saj dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit të parandalojë krijimin e zonave terroriste përgjatë kufirit sirian, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) për çështje të Lindjes së Mesme, Eric Pahon lidhur me hapat e Turqisë për mbrojtjen e armëpushimit në qytetin Idlib të Sirisë, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Rusinë dhe Iranin, thotë se “Mbështesim përpjekjet e aleatit tonë në NATO, Turqisë, në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e kufijve si dhe për parandalimin e krijimit të zonave nga organizatat terroriste”.

“Regjimi sirian kishte shndërruar pjesën veri-perëndimore të Sirisë në zonë të sigurtë për organizatën terroriste Al-Kaede e cila në të njëjtën kohë jep mbështetje për organizatat terroriste ndërkombëtare”, tha Pahon në një deklaratë me shkrim për AA.

Ai tha se SHBA-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin lidhur me frontin Nusra i cili njihet si Xhebhet-ys-Sham. “Organizata është degë e Al Kaedës në Siri dhe ndodhet në listën e organizatave të huaja terroriste”, tha Pahon.

Sipas tij, Fronti Nusra i cili më parë tha se ka ndërprerë lidhjet me këtë organizatë, ende ka lidhje me Al Kaedën. Pahon thotë se kjo organizatë ndan axhendat dhe qëllimet e Al Kaedës e jo të popullit të Sirisë.

Pahon po ashtu njofton se SHBA-ja në këtë fazë nuk merr pjesë në operacionin në Idlib.

Qyteti i Idlibit i cili ndodhet në veriperëndim të Sirisë, në kufi me Turqinë, është në kuadër të marrëveshjes së arritur në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit dhe është përfshirë në “zonat jokonfliktuale” me qëllim të uljes së tensioneve.

Pas takimeve intensive mes garantuesit të opozitarëve, Turqisë dhe garantuesit të regjimit, Rusisë, marrëveshja arriti në fazën e implementimit.

Në bazë të marrëveshjes mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit kanë përfunduar përgatitjet për kalimin e disa njësive të Forcave të Armatosura Turke në qytetin Idlib të Sirisë.

Idlibi ndodhet nën kontrollin e grupeve opozitare dhe disa grupeve të cilat luftojnë kundër regjimit të Asadit.

Exit mobile version