Pensionistët të pakënaqur me rritjen prej 20%, paralajmërojnë protestë

Pensionistët e Kosovës janë të pakënaqur me rritjen prej 20 përqind të pensioneve sipas vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës të hënën.

Kryetari i Shoqatës së Pensionisteve të Kosovës, Njazi Gashi, ka thënë se me këtë rritjen një person që ka pensionin bazë 100 euro i ka 40 bukë më shumë në muaj.

“Nëse e konvertojmë rritjen në bukë,a atëherë del se pensionistëve bazik që e kanë pensionin 100 euro i kanë 40 bukë ma shumë për një muaj, kurse shpenzimet tjera për barna, rrymë etj dihet që nuk shansa me i mbulu”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.

Gashi tha se pensionistët janë të pakënaqur me këtë vendim dhe se kanë kërkuar që të ketë protesta.

“Vendim i njëanshëm. Pensionistët janë të indinjuar të mllefosur për këtë vendim, dhe normalisht që bënin presion që ne të shprehim pakënaqësi në mënyrë demonstrative para Qeverisë dhe ne do të shikojmë për një mundësi të tillë”, tha ai.