Ballina Lajmet Kosovë Pensionistët që s’lajmërohen brenda periudhës 9-mujore, nuk u kthehen mjetet në mënyrë...

Pensionistët që s’lajmërohen brenda periudhës 9-mujore, nuk u kthehen mjetet në mënyrë retroaktive

Pensionistëve që përfitojnë pagesë mujore kanë ngritur shqetësimin se për shkak të moslajmërimit brenda afatit të lejuar që përfshin edhe periudhën tremujore të suspendimit të përkohshëm nga pagesa, nuk u kthehen mjetet në mënyrë retroaktive. Në shoqatën e pensionistëve thonë se ata janë të dëmtuar nga udhëzimi administrativ i vitit 2015.

Një çift pensionistësh që për shkak të problemeve shëndetësore nuk u lajmëruan me kohë në zyrat përkatëse të pensionit, kanë humbur rreth 1 mijë e 800 euro pension, e të cilat nuk u kthehen as retroaktivisht.

Nën kushtin e anonimitetit ata tregojnë se kur shkuan për t’u lajmëruar pas diku një muaji prej afatit të lejuar, kërkesa iu konsiderua si ri-aplikim.

“Nuk jemi lajmëruar për gati një vjet, jemi shpërngulur, kemi ndërruar vendbanimin, kemi pasur edhe probleme me shëndetin. Kur jemi lajmëruar na kanë thënë se duhet të riaplikojmë nga fillimi, pa na treguar se pagesa nuk bëhet në mënyrë retroaktive edhe për muajt kur jemi suspenduar. Këtë e kemi kuptuar vetëm kur kërkesa për riaplikm na është pranuar dhe kanë rifilluar pagesat. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, nuk ia jep paratë e tij një pensionisti kontributdhënës, bazuar në një udhëzim që është diskriminues, përkundër që provohet që ai është gjallë. Shteti nuk t’i jep mjetet e tua, për të cilat ke kontribuar, mjetet që të takojnë”, ka theksuar një pensionist.

Ata e quajnë këtë vendim diskriminues dhe kërkojnë që të ndryshohet udhëzimi administrativ që e rregullon këtë çështje.

“Shteti ka mekanizma të tjerë për të verifikuar nëse një pensionist është gjallë, duhet të ndalohet ky maltretim dhe paratë që u janë ndaluar pensionistëve mbi këtë bazë diskriminuese ligjore duhet të ju kthehen”, ka shtuar ai.

Ky udhëzim vlerësohet diskriminues nga përfaqësuesit e shoqatave të pensionistëve.

“Nuk i kthehen ato para, nuk e dimë ku shkojnë ato pare, kush i shfrytëzon, që kish me qenë mirë që t’i kthehen pensionistëve e të mos humbin ato. Unë kish pas një kërkesë që të bëhet sikur në shtete të tjera, mos me u lajmëru për çdo muaj, por të lajmërohen ose më rrallë ose përmes mjeteve elektronike. Kur dihet se teknologjia ka arritur në atë nivel sa që munden me u lajëmru nga vendi që d.m.th. të hiqet lajmërimi për çdo gashtë muaj. Ka raste të shumta….. brengosun, edhe ashtu të varfër, me ja hjek qato 200 euro, 120 euro për të është debakël se pret çdo fund të muajit si satisfaksion për jetën e vet qato pare”, ka theksuar Sherif Kastrati, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve.

Muhamet Qyqalla, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Prishtinës ka thënë se ky është diskriminim.

“Ky është diskriminim, te pensionistët invalidor e te pensionistë e moshuar e krejt. Pse me u lajmëru ne për çdo gjashtë muaj. Kur vdes unë për shembull, është evidenca dhe nuk ka nevojë me shku mu malltretu njeri, çdo 6 jashtë muaj, se ky është maltretim…. Edhe i kanë humbur pensionet, tre katër muaj nuk i kanë marrë pensionet se nuk kanë ditur, se ne të moshuar jemi, nuk e dimi kur me u lajmëruar, tejkalon, pas vitit të ri të humb krejt, as nuk të kompensojnë as, prapë po dëmtohet pensionisti”

KOHA që nga 5 dhjetori, ka nisur pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nëse do të ndryshohet udhëzimi administrativ, por nuk ka marrë përgjigje.

Udhëzimi administrativ i 2015-s për procedurat e lajmërimit dhe suspendimin nga pagesa, obligonë shfrytëzuesit e pensioneve të lajmërohen çdo gjashtë muaj në departamentin e pensioneve.

Nëse nuk lajmërohen brenda kësaj periudhe, ata suspendohen përkohësisht nga pagesa dhe kanë afat edhe tre muaj të tjerë për t’u lajmëruar në mënyrë që t’u kthehen mjetet.

Por në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej 3 muajsh, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim e pagesa nis të bëhet veç nga data e aplikimit.

Në Kosovë llogaritet të jenë mbi 300 mijë pensionistë.

Pensioni kontributpagues është 318 euro, varësisht nivelit të arsimimit, kurse pensioni bazik apo i moshës është 120 euro.

Exit mobile version