Pendarovski pranon letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Turqisë, Fatih Ulusoy

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pranuar sot letrat kredenciale të Fatih Ulusoy, ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Shkup, transmeton Anadolu.

Sipas kumtesës së Presidencës, Pendarovski në fjalimin e tij në ceremoninë e dorëzimit tha se Maqedonia e Veriut dhe Turqia gëzojnë miqësi tradicionale të kahershme dhe shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të karakterizuara me mbështetje dhe respekt të ndërsjellë.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e përgjithshme që Turqia ka dhënë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut dhe që vazhdon ta japë edhe sot e kësaj dite. Pendarovski tha se si aleatë në NATO, të dy vendet po përballen me kohë veçanërisht të trazuara, të cilat natyrisht se ndikojnë edhe në rajon.

Pendarovski theksoi se bashkëpunimi, besimi dhe koordinimi në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, migrimeve ilegale, kërcënimeve kibernetike dhe dukurive të ngjashme janë prioritet për të gjithë dhe janë vlerë e shtuar në marrëdhëniet.

Duke theksuar se dy vendet janë duke zhvilluar marrëdhënie dinamike ekonomike, Pendarovski shprehu besimin se ekziston vullnet i ndërsjellë për hapjen e perspektivave të reja me qëllim të intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së tregtisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes, bujqësisë, arsimit, kulturës, shkencës, etj.

Në fjalën e tij, ambasadori Fatih Ulusoy tha se Turqia vlerëson partneritetin që ndan me Maqedoninë e Veriut, i cili bazohet në respektin reciprok, besimin dhe bashkëpunimin, duke shtuar se e konsideron vendin një partner të rëndësishëm në Ballkan.

Ai theksoi se kultura e përbashkët mundëson që marrëdhëniet dhe bashkëpunimi të ruhen në nivel të privilegjuar, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.

Ambasadori Ulusoy vuri në dukje komunitetin turk, i cili ekziston me shekuj në këtë hapësirë dhe që punon për zhvillimin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut, si dhe qytetarët turq që vijnë nga këtu dhe kanë emigruar në Turqi, si elemente të rëndësishme në marrëdhëniet e ndërsjella.

Ulusoy tha se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, marrëdhënieve u është shtuar dimensioni i aleatëve dhe të dy vendet me bashkëpunimin e tyre të ngushtë në tema të ndryshme rajonale inkurajojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan dhe përtej.

Ambasadori turk nënvizoi se Maqedonia e Veriut, me strukturën e saj multikulturore dhe multietnike, paraqet shembull në të gjithë Ballkanin në aspektin e bashkëjetesës paqësore të komuniteteve.

Presidenti Pendarovski i uroi ambasadorit turk suksese dhe shëndet në kryerjen e misionit të tij si ambasador.