Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se nuk kishte asnjë alternativë tjetër për vendin e tij, përveç anëtarësimit të plotë në BE.
Në një konferencë të përbashkët për media në Zagreb me presidentin kroat, Zoran Milanoviç, Pendarovski theksoi se të dy vendet janë të lidhura jo vetëm gjeografikisht, por edhe në gjuhë, kulturë, vlera dhe mentalitet.
“Kroacia është një nga aleatët tanë më të mëdhenj që mbështet Maqedoninë e Veriut në integrimin e saj europian. Ne jemi sinqerisht mirënjohës ndaj Republikës së Kroacisë për mbështetjen e saj dhe për angazhimin e saj për një Ballkan të përbashkët dhe të bashkuar këtu dhe në të gjithë Europën. Nuk ka asnjë alternativë për ne, përveç anëtarësimit të plotë në BE”, theksoi Pendarovski.
Sipas tij, kapitali që kanë Kroacia dhe Maqedonia e Veriut duhet të përdoret për të zhvilluar bashkëpunim të mëtejshëm, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, shkencës dhe turizmit.
Ai shtoi se çdo shtet përpiqet të garantojë siguri dhe prosperitet për qytetarët e tij dhe se pa bashkëpunim midis shteteve, kjo do të ishte e pamjaftueshme.
Ai gjithashtu komentoi deklaratën e Sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane të Portugalisë, Ana Paula Zakarias, për gjuhën maqedonase.
“Lajmi i mirë është se presidenca portugeze ka mbaruar, shpresoj që presidenca sllovene të vazhdojë në të njëjtën rrugë me respekt të plotë për interesat jetike kombëtare dhe shtetërore të të dy palëve, përndryshe asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet”, shtoi Pendarovski. /atsh