Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pendarovski: Nëse çmimi i anëtarësimit në BE është që të tjetërsohemi, BE...

Pendarovski: Nëse çmimi i anëtarësimit në BE është që të tjetërsohemi, BE e tillë nuk na duhet

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se euroskepticizmi po rritet ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor dhe se “në vitet e ardhshme do të jetë shumë e vështirë me një euroskepticizëm të tillë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski e theksoi këtë në panelin e diskutimit me temë “Tridhjetë vjet pavarësi dhe persoektivat euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut”, organizuar nga Qendra për hulumtime dhe analiza evropiane “Europrospera”.

“Euroskepticizmi po rritet ndjeshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, natyrisht edhe në vendin tonë. Ajo që është shkatërruese, unë pata mundësinë të shoh të dhënat e ‘Eurostat’ për euroskepticizmin në vetë Bashkimin Evropian (BE). Njëmbëdhjetë nga njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së kanë shumicën e qytetarëve që janë kundër zgjerimit të BE-së. Këto janë njëmbëdhjetë kombet e fuqishme. Midis tyre Franca dhe Gjermania”, tha Pendarovski.

“Turqia mund të jetë një stabilizues i rëndësishëm”

Ndër të tjera, në fjalën e tij, presidenti Pendarovski iu referua bisedimeve të pranimit të Turqisë në BE. Sipas tij, ky është një nga gabimet kryesore strategjike të BE-së.

“Turqia mund të jetë një stabilizues i rëndësishëm, për shkak të pozitës së saj gjeostrategjike, për shkak të strukturës së saj të brendshme, për shkak të historisë, forcës së saj. Ekonomia turke është e 16-ta në botë”, theksoi Pendarovski.

Ai beson se problemi kryesor i BE-së është sepse ata praktikisht po punojnë për konsensus, pasi nëse dikush është kundër, pavarësisht nga madhësia e atij vendi, BE-ja nuk mund të marrë një vendim, kështu që vendimi bllokohet. Sipas presidentit, pa ndryshuar këtë parim, BE-ja nuk mund të jetë një lojtar i rëndësishëm global.

“BE-ja dhe SHBA-ja duhet të na ndihmojnë në reformën e plotë të shoqërive”, u shpreh Pendarovski.

Ai beson se dy gjëra do të përcaktojnë suksesin e vendeve në shekullin e 21, veçanërisht në dekadën e ardhshme, siç tha ai, procesi i dixhitalizimit dhe mbrojtja e mjedisit njerëzor. Ai shtoi se të dy proceset kërkojnë shumë financa, burime dhe shumë njohuri dhe aftësi të cilat, sipas tij, shteti nuk i ka.

“Nëse nuk marrim mbështetja nga BE-ja, ne do të mbetemi edhe më shumë prapa asaj që po mbetemi për momentin”, u shpreh Pendarovski.

Lidhur me mosmarrëveshjen me Bullgarinë, Pendarovski beson se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk ka asnjë mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

“Gjithçka që mund të ishte ofruar nga ne, si një gjest i vullnetit të mirë dhe që nuk shkoi përtej një bisede rezonante dhe negociatash mbi aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe me Sofjen, u ofrua. Gjithçka u ofrua. Sigurisht që ne nuk mund të hyjmë në kompleksin e identitetit dhe nëse dikush pret që ne do ta bëjmë atë pas korrikut ose gushtit, ai po gënjen”, theksoi Pendarovski.

Ai beson se si politikanë në vitin 2021 ata nuk mund të diskutojnë tema historike.

“Veçanërisht, kriteri historik nuk mund të jetë një kriter për t’u bashkuar me BE-në, që u bë në vitin 1957″, tha Pendarovski, duke shtuar se nëse çmimi i anëtarësimit në BE është që të tjetërsohemi, një BE të tillë nuk na duhet”.

Bashkëbiseduesit në panelin e diskutimit ishin edhe zv/ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve, Ilhan Rahman, zv/drejtori i Agjencisë për Ushtrimin e të Drejtave të Komunitetit, Xhelal Hoxhiq dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut, Ilija Xhugumanov. /aa

Exit mobile version