Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar mësimet e pandemisë në mënyrën më të vështirë të mundshme, dhe se integrimi rajonal është një nga mekanizmat dhe mënyrat për t’u rikuperuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Pendarovski bashkë me disa liderë rajonal kishte fjalim në Forumin e Diplomacisë të Antalya-s, në një panelin e titulluar “Si mund ta forcojmë solidaritetin rajonal për sa i përket mësimeve të marra?”.
Ai tha se solidariteti global me pandeminë dhe menaxhimi i saj nga vendet më të fuqishme dhe më të pasura kishte dështuar.
Pendarovski foli edhe për të dhënat statistikore, duke theksuar se rreth 30 mijë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në rajon, dhe se ekonomitë kanë pësuar rënie për rreth 3,4 për qind.
Siç theksoi ai, vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u nevojiteshin 3-5 vjet për të arritur nivelin para pandemisë, duke shtuar se këto vende nuk mund ta arrijnë këtë pa mbështetjen e vendeve evropiane.
Sa i përket mekanizmave dhe mënyrave të rimëkëmbjes, ai vuri në dukje integrimin rajonal, siç është iniciativa e “Mini-Shengenit”, apo integrimin evropian, për të cilin ai kujtoi se kishte ngecur për vite me rradhë.
“Katër vende po presin fillimin e bisedimeve me BE-në. Jam duke folur për Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, ne jemi kandidatë për 16,5 vjet që nga viti 2005 dhe ne ende jemi duke pritur për t’i filluar bisedimet. Jo për t’i mbaruar, gjë për të cilën nevojiten vite, por për t’i filluar. Shqipëria është në një situatë të ngjashme. Mali i Zi dhe Republika e Serbisë kanë negociuar për gati një dekadë dhe ende nuk shihet fundi i këtij tuneli të gjatë”, tha Pendarovski.
Sa i përket stabilitetit rajonal, ai tha se nuk mund të flitet për këtë pa integrimin rajonal.
“Kur flasim për stabilitetin rajonal, nuk mund të flasim pa integrim rajonal. Një nivel më i lartë i integrimit sjell stabilitet më të madh në rajon dhe 100 për qind prosperitet më të madh për të gjithë popujt në rajon”, tha Pendarovski.
Ai rikujtoi se numri i njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor është më pak se 4 për qind e popullësisë së BE-së, ndërsa ekonomitë e gjithë vendeve të rajonit janë më pak se 1 për qind ekonomia e BE-së, duke shtuar se integrimi i rajonit nuk duhet të paraqesë problem apo pasoja për BE-në.
Ai gjithashtu tha se i gjithë faji nuk është në Bruksel, por edhe tek politikanët e rajonit.
“Udhëheqësit rajonalë nuk duhet vetëm të flasin për reformat, por me të vërtetë të zbatohen reformat dhe të transformohen shoqëritë tona. Ne nuk po kërkojmë vetëm një stimul financiar, por parime dhe udhëzime që e gjithë kjo të zbatohet në mënyrë që të shkurtohet koha e nevojshme për t’u bërë një shoqëri më e qëndrueshme”, tha Pendarovski.
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë për AA konfirmoi se Forumi Ndërkombëtar i Diplomacisë në Antalya, në të cilin Anadolu Agency (AA) është partner global i komunikimit, pret dhjetë krerë shtetesh dhe qeverive, 42 ministra të jashtëm, tre ish-krerë të shteteve dhe qeverive, mbi 50 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare ose ish-zyrtar të qeverisë.
Gjatë forumit tre-ditor në thellësi analizohen debatet me rëndësi globale, përfshirë Ballkani, e ardhmja e Evropës, marrëdhëniet trans-atlantike, refugjatët dhe migrantët, si dhe kërcënimi nga terrorizmit. /aa