Pekini kritikon Uashingtonin për zgjerimin e sanksioneve ndaj kompanive kineze

Wang Wenbin

Pekini zyrtar kritikoi të premten vendimin e Uashingtonit për të kufizuar më tepër qasjen e kompanive kineze në tregjet financiare amerikane.

Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, deklaroi se “kompanitë kineze do të marrin të gjitha masat për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre ligjore” dhe “do të bllokojnë çdo përpjekje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës”.

Duke e akuzuar administratën amerikane për politizim të çështjeve tregtare dhe ekonomike, Wang tha se sanksionet dëmtojnë shumë investitorë në SHBA dhe vende të tjera.

Menjëherë pas vendimit të Shtëpisë së Bardhë për të zgjeruar sanksionet, bursat “Dow Jones” dhe “FTSE Russell” njoftuan se ata do të hiqnin rreth 20 sipërmarrje kineze nga indekset e tyre.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shtoi disa kompani kineze në listën e sanksioneve përmes urdhrit ekzekutiv që ai dekretoi më 3 korrik.

Kështu, numri i sipërmarrjeve kineze, në të cilat amerikanëve u ndalohet të investojnë, u rrit në 59.

Po ashtu, Kina e akuzoi SHBA-në për “ngutje për t’u tërhequr nga Afganistani duke lënë pas një ngatërresë për rajonin”.

“Shtetet e Bashkuara janë të paduruara të tërheqin trupat e tyre nga Afganistani dhe t’ia lënë ngatërresën popullit afgan dhe vendeve të rajonit”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, gjatë një konference shtypi në kryeqytetin Pekin të vendit.

Wang tërhoqi vëmendjen se kjo ekspozoi “hipokrizinë e Uashingtonit pas maskës së tij për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Deklarata erdhi ndërsa SHBA-ja dhe forcat aleate janë në procesin e tërheqjes nga Afganistani pas një okupimi 20-vjeçar, që filloi në vitin 2001 kundër Talibanit të akuzuar për strehimin e organizatës terroriste Al-Kaeda. /trt