Ballina Artikuj Pejgamberi a.s. në marrëdhënie me të tjerët

Pejgamberi a.s. në marrëdhënie me të tjerët

Dr. Ajni Sinani

Gjatë kohës se Pejgamberit a.s., ne Gadishullin Arabik të pranishme ishin me shumë se një fe. Kishte të krishterë, hebrenj, zoroastriane, politeistë, dhe të tjerë qe nuk besonin fare.

Nga leximi i burimeve historike konkludojmë se Pejgamberi i nderuar, ne marrëdhëniet e tij me kundërshtarët, ishte tolerant, dhe mbi të gjitha përdorte dashurinë dhe miqësinë.
Ne këtë shkrim do te paraqes disa themele që i ka vendosur vetë Pejgamberi a.s., në marrëdhëniet e tij me njerëzit që i përkisnin feve te tjera, me shembuj praktik nga koha e jetës së tij, që janë dëshmi e tolerancës fetare ndaj njerëzve të besimeve të tjera.
Qëndrimin e Pejgamberit a.s., ndaj të tjerëve veç tjerash e përshkruan edhe ajeti nga Kur’ani fisnik: ”Ju keni fenë tuaj, dhe unë kam fenë time.” (Kafirun, 6).
Pejgamberi a.s., i porosit myslimanët me tolerance: “Ai që e shtyp një person, me të cilin është lidhur me një zotim, ose i cenon të drejtat e tij, ose ia imponon një detyrë mbi mundësitë e tij, ose ia merr me detyrim një gjë, në Ditën e Gjykimit mua do te me ketë kundërshtar.”(1)

Toleranca

Tolerancë-a. f. (lat. tolerantia-durim) durim; aftësi për durim, te lëshuarit pe për diçka.(2) Tolerance do të thotë; të durosh, te tolerosh, tolerance për mendimin e dikujt tjetër etj. Sipas përkufizimit të UNESCO-s, toleranca është: ”Respekti, pranimi dhe vlerësimi i pasurisë së diversitet-it. Bazohet në dije, transparencë, komunikim dhe liri të mendimit, ndërgjegje e bindje, dhe është një harmoni në diversitet.”

Islami dhe bashkëjetesa

Islami e pranon ekzistencën e diversitetit dhe na mëson se kjo është e bazuar në vullnetin e Allahut. Vetë urtësia hyjnore ka dashur që njerëzit të jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe me njëri-tjetrin, me të gjitha dallimet e tyre. Kjo sepse: “Sikur te kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme…” (Hud, 118).
Tolerance e vërtetë mund të sjellë vetëm paqe dhe mirëqenie në bote, nëse zbatohet sipas linjave të përshkruara në Kur’an: “Nuk barazohet e mira me të keqen!
“Të keqen ktheje me te mirë, e atëherë armiku yt do të bëhet menjëhere mik i ngushte” (Fussilet, 34).
Parulla islame është: “rahmeten lil alemine – mëshirë për gjithë botët”, prandaj jomyslimanet kanë jetuar në shtetin mysliman qetë dhe në siguri.

Karta e Medinës, shembulli më i mirë i tolerancës

I Dërguari a.s., kur erdhi në Medinë, mbolli farën e tolerancës ndërmjet myslimanëve dhe të tjerëve. Shembulli me i mirë i tolerancës së Pejgamberit a.s., ndaj feve të tjera mund të jetë kushtetuta e miratuar, e cila sipas historianëve të hershem është quajtur ”Sahifah”.
Kur Muhamedi a.s., u shpërngul në Medine, krahas rolit të tij fetar ishte edhe udhëheqës politik i një shteti të bazuar në parimet islame, te cilat kërkonin ligje te qarta te qeverisjes, e që janë të nevojshme për të siguruar harmoninë dhe stabilitetin në një shoqëri që ishte tronditur nga lufta dhjetëvjeçare, dhe që gjithashtu kishte nevojë për të siguruar bashkëjetesën paqësore mes myslimanëve, çifuteve, të krishterëve dhe idhujtarëve.
Pejgamberi a.s., bëri marrëveshje me çifutet, ku veç tjerash theksohet toleranca, falja, bashkëpunimi për në mirësi dhe dobia e ndërsjellë. Prandaj, Pejgamberi solli ”kushtetutën”, në të cilën ai ka përcaktuar përgjegjësitë e të gjitha palëve që kane jetuar në Medine, detyrimet e tyre ndaj njëri-tjetrit, si dhe nivelin e caktuar të kufizimeve qe kishin të bënin me gjithë ata. Të gjitha palët kanë qenë të obliguara të respektojnë atë që është deklaruar, dhe të mos cenojnë atë ngase do të konsiderohej shkelje e ligjit. Prandaj, dokumenti i parë i shkruar në historinë e Islamit, i cili bën fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut, tolerancës dhe bashkëjetesës, është e ashtuquajtura “Karta e Medinës”.
Rëndësia e kushtetutës së Medinës është aq e madhe, sa shumë historianë e kanë vendosur në librat mbi historinë e njerëzimit. Ky dokument paraqet jo vetëm konstituimin e Shtetit të parë mysliman, por edhe kushtetutën e parë të shkruar të një shteti në botë.
Dokumenti përbëhet nga dy pjesë kryesore me përmbajtje të veçanta: ku përfshin nene që kanë të bëjnë me myslimanët dhe me hebrenjtë.(3) Respekti i veçantë me të cilin Islami vlerëson judaizmin dhe krishterimin, themeluesit dhe shkrimet e tyre, nuk është thjesht shprehje mirësjelljeje, por është pranim i të vërtetës fetare. Islami i sheh ato në botë jo si “pikëpamje të tjera” që i duhet t’i tolerojë, por si të qëndrueshme de jure, si fe të zbuluara vërtet prej Zotit. Për më tepër, statusi i tyre i ligjshëm nuk është as sociopolitik, as kulturor apo qytetërues, po fetar. (4)

Ymeti çifut

Krahas ymetit të myslimanëve qëndronte ymeti i çifutëve. Jeta e tyre do të ndërtohej rreth institucioneve çifute dhe do të qeverisej prej Torahut, ligjit të tyre të shpallur hyjnisht. Autoriteti politik iu mvesh kreut të rabinëve, ndërsa autoriteti juridik mbeti në sistemin e gjykatave rabine.(5)
Një shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës është i pranishëm në masë të madhe në marrëdhëniet e Pejgamberit a.s., me njerëzit e Librit, qofshin ata hebrenj apo të krishterë. Pejgamberi a.s., i vizitonte ata dhe i priste e i pranonte me mirësjellje, pranonte dhe u jepte dhurata, i vizitonte të sëmurët e tyre, dhe sillej ndaj tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke vepruar kështu, Muhamedi a.s., tregonte se Islami është larg nga ajo që t’i urdhëronte myslimanët për t’i ndërprerë marrëdhëniet e tyre me bashkëqytetarët jomyslimanë.(6)
I Dërguari i Allahut i porosiste myslimanët të kujdesen për jomyslimanët që jetojnë në vende myslimane, t’u ofrojnë siguri, të kenë parasysh të drejtat e
tyre, të jenë të drejtë me ta, të jenë bamirës dhe të mos i dëmtojnë. Abdullah b. Amër ibn Asi transmeton se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush vret një dhimij nuk do të shijojë erën e Xhenetit. Era e Xhenetit ndihet dyzet
vjet larg.” (Buhariu).
Pejgamberi a.s., gjithashtu urdhëron që çifutëve dhe të krishterëve të mos u imponohet feja islame, sikurse shihet në letrën që ia dërgon guvernatorit të Jemenit:
“Mos e përdor dhunën për t’ia imponuar Islamin çifutëve dhe të krishterëve nëse dëshirojnë të mbesin në fenë e tyre!”(7)

Çifutët e qytetit të Tejma-së

Vetëm një vit më vonë nga paqja e Hudejbijes, Pejgamberi a.s., i siguroi çifutët e qytetit të Tejma-së me traktatin që atyre u jepte garanci të plotë dhe paqe të dëshmuar.
Muhamed Hamidullahi na sjell tekstin e marrëveshjes me teimasit, një fakt ky që paraqet një shembull të bukur të një dokumenti diplomatik të asaj kohe:
“Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Është kjo një shkresë e Muhamedit, të dërguarit të

Zotit, për Benu Adijetë: këtyre u sigurohet mbrojtja, dhe u bie detyrimi i taksës për frymë. Pa dhunë e pa dëbime! Nata e zgjattë, e dita e forcoftë (rrjedhimin e tyre)! Shkruar nga Halid ibn Saidi.”(8)
Ndërsa, përveç këtyre ai kishte shkëmbyer marrëveshje dhe traktate paqeje edhe me fisin e Xhuhejnit, me banorët e Ilijes (Aelia), me të krishterët arabë që jetonin në Nexhran të Jemenit, etj.(9)

Diversiteti i feve

Islami, diversitetin e feve, bashkësive dhe ligjeve fetare, ngjyrave, racave, popujve, kulturave dhe qytetërimeve, e sheh si rend hyjnor dhe ligj të pandryshueshëm universal, sikurse thotë Allahu xh.sh.: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë.” (Hud, 118).
Bashkëjetesa, dialogu dhe mirëkuptimi midis kombeve dhe popujve është mënyra për të mbrojtur këtë pluralizëm, sikurse është edhe ndihma e ndërsjellë e të gjitha palëve në bazë të mirësisë dhe drejtësisë, dhe jo në bazë të mëkatimit dhe dhunës. Sepse i Gjithëmëshirshmi thotë: “O njerëz, në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij…” (El Huxhurat, 13).
Në këtë ajet është theksuar se një larushi besimesh meriton më shumë se vetëm tolerancë. Meriton respekt të lartë, sepse secili ka domethënien e vet.
Bashkëjetesa e kombeve dhe popujve, dhe përparimi i njerëzimit, janë të lidhur me sundimin e një sistemi të vlerave dhe moralit të bazuar në fe. Dhe, veçanërisht në vlerat e drejtësisë, respektit për parimet e së drejtës ndërkombëtare, dhe autoritetit e institucioneve ndërkombëtare. Dhe jo siç është rasti me rendin aktual botëror, që injoron parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe e kthen botën në një xhungël, ku të fuqishmit skllavërojnë të dobëtit; situatë që i shtyn grupet e shtypura për të përdorur dhunën si përgjigje ndaj forcës shtypëse dhe arrogante.”(10)

Dr. Ajni Sinani

___________________________________
1. Dr Ahmed Muhamed El Huli, Toleranca Islame, botoi shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë, pa vit botimi, f. 17.
2. Mikel Ndreca, fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1986, shih: shkronjën T, f. 699.
3. Shih: Muhammed Hainidullah, Muhammed alejhisselam, Jeta 1, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2011, f. 163.
4. Ismail Faruki, Islami në dialogun ndërfetar, Tiranë, 2006, f. 15.
5. Ismail Faruki, po aty, f.37.
6. Dr Ahmed Muhamed El Huli, Toleranca Islame, boton shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë, pa vit botimi, f. 27.
7. Dr Ahmed Muhamed El Huli, po aty, f. 17.
8. Muhammed Hamidullah, Muhammed alejhisselam, Jeta 2, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2011, f. 487.
9. Dr. A. Hak Zahur, gazeta “Drita Islame”, sipas Genti Kruja, Toleranca ndërfetare në traditën profetike, shih: http://www.dritaislame.al/ toleranca-nderfetare-ne-traditen-profetike/
10. Fikret Karcic, Serijatsko Pravo-Reformizam i izazovi modernosti hrestomatija tekstova i eseja, f. 149, shih: https;/ /bosnamuslimmedia.files. wordpresscom/2009/08/06-dr-?kret-karcic.pdf.

Exit mobile version