Ballina Artikuj Pejgamberi a.s. dhe të tjerët

Pejgamberi a.s. dhe të tjerët

Hoxhë Nexhmi Hoxha

Historia dhe fjalët e Pejgamberit a.s. na tregojnë shembullin më të mirë se si duhet të sillemi karshi jomyslimanëve, me mirësi, mëshirë, moral të mirë, kulturë të mirë, falje, shoqërim të mirë, ndihmesë ndaj tyre, drejtësi. Shembuj të ndryshëm mund të nxjerrim nga jeta e të Dërguarit të Allahut se si ai është sjellë me jomyslimanet.

Jeta e Pejgamberit a.s. karakterizohet nga ngjarje nga më të ndryshmet, qoftë në aspektin e thirrjes (davetit) e po ashtu edhe në aspektin e raporteve të tij me të tjerët, që në këtë rast përfshinte pjesëtarët e feve të tjera që vepronin në Mekë dhe në Medinë. Allahu xh.sh. nëpërmes ajeteve kuranore e porositi të Dërguarin a.s, që të ketë sjellje dhe moral të mirë me të gjithë njerëzit, pavarësisht fesë së cilës i takonin, madje Ai e quajti mëshirë për gjitha krijesat, në ajetin e 107 -të, të sures El Enbija: “Vërtet ne të dërguam mëshirë për mbarë njerëzimin.”

Kurani për jomyslimanët

Kurani është kushtetutë e myslimanëve. Ai ka vendosur ligje të përgjithshme, të cilave u është përmbajtur Pejgamberi a.s. dhe myslimanët në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Ajeti i cili merret për bazë për të vepruar me jomyslimanët është ajeti i 256-të, i sures El Bekare, i cili thotë: “Nuk ka dhunë në fe”. (El Bekare, 256)
Kjo argumenton se Zoti nëpërmjet Kuranit nuk e detyron askënd që ta pranojë Islamin duke e urryer atë, njerëzit i la të lirë që ta zgjedhin fenë e tyre.
Allahu i Madhëruar ia mohoi Pejgamberit a.s. shqetësimin e shtuar që mushrikët, banorët e Mekës ta pranonin Islamin. Për këtë Zoti në Kuran thotë: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besim-tarë.” (Junus, 99)
Gjithashtu Kurani famëlartë nxit myslimanët që të kenë sjellje të mira karshi jomyslimanëve. Allahu në Kuran thotë: ”Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (El Mumtehine, 8).
Allahu po ashtu e lejoi të ushqyerit me ushqimin që e përgatitin ithtarët e librit, e po ashtu edhe me prodhimet e tyre. Për këtë, Zoti në Kuran thotë: “Sot u bënë të lejuara për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju … “(El Maide, 5)
Përpos këtyre, Allahu në Kuran na fton që me ithtarët e librit të bëjmë dialog në mënyrën më të mirë. Allahu thotë: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe vetëm ashtu si është më së miri.” (Ankebut, 46). Gjithashtu Allahu në Kuran na urdhëron që të sillemi mirë me njerëzit në fjalët, veprat tona dhe të jemi të drejtë ndaj çdonjërit, pa marrë parasysh besimit, kombit apo racës. Allahu në Kuran thotë: ”Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve … “. (En Nahl, 90). Po ashtu Ai thotë: ” … dhe njerëzve u thoni fjalë të mira … ” (El Bekare, 83)
Kurani na mëson se ka dallim ndërmjet sjelljes së mirë, bashkëpunimit me ta dhe dashurisë dhe pasimit të tyre, këto të fundit janë të ndaluara, ngase ata duan më shumë kufrin sesa imanin. Për këtë Zoti në Kuran ka thënë:
“Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe ditën e gjykimit e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre ose farefisi i tyre … ” (El Muxhadele, 22)
Allahu i Madhëruar në mëson sjellje të mirë edhe me prindërit të cilët janë të besimeve të tjera, mirëpo na e ndalon që t’i pasojmë ata. “E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i paso ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre … “(Llukman, 15)

Urtësia e Pejgamberit a.s. me jomyslimanët

Shembulli i Pejgamberit a.s. duhet të jetë model për të gjithë myslimanët, për këtë Zoti në Kuran ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.” (El Ahzab, 21).
Historia dhe fjalët e Pejgamberit a.s. na tregojnë shembullin më të mirë se: si duhet të sillemi karshi jomyslimanëve, me mirësi, mëshirë, moral të mirë, kulturë të mirë, falje, shoqërim të mirë, ndihmesë ndaj tyre, drejtësi. Shembuj të ndryshëm mund të nxjerrim nga jeta e të Dërguarit të Allahut, se si ai është sjellë me jomyslimanet.
Pejgamberi a.s. e ndaloi që t’u shkaktohen padrejtësi dhe dëme jomyslimanëve. Për këtë kemi hadithin, të cilin e transmeton Abdullah ibën Amër ibën Asi, në të cilin thuhet: “Kush e mbyt një jomysliman (më të cilët kemi marrëveshje), nuk do ta shijojë erën e xhenetit, era e xhenetit ndihet në një largësi prej 40 vjetësh.” (Transmeton Buhariu, 3166).
“Kush e mbyt një jomysliman (elhu dhimmeh), nuk do ta shijojë erën e xhenetit.” (Transmeton Imam Ahmedi, 18072).
Në hadithin që e transmeton Ebu Davudi thuhet: “Padyshim se kush i bën ndonjë padrejtësi një jobesimtari (me të cilin keni marrëveshje), apo i pakëson diçka prej tij, apo e ngarkon me diç që nuk mund ta përballojë, apo i merr diçka jo me dëshirën e tij, unë jam dëshmitar i tij (jomyslimanit) Ditën e Gjykimit.” (Transmeton Ebu Davudi, 3052).
Esma, bija e Ebu Bekrit r.a. ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit a.s. ka ardhur te unë nëna ime, e cila ishte idhujtare, ajo dëshironte të mbante lidhjet me mua, e për këtë e pyeta Pejgamberin a.s: “Nëna ime ka ardhur te unë dhe ajo ka dëshirë të mbajë lidhjet me mua. A të mbajë lidhjen me nënën? Pejgamberi a.s. tha: “Po mbaj lidhjet me nënën tënde.” (Transmeton Buhariu, 2620).
Kjo tregon se Pejgamberi a.s. i nxiste myslimanët që të kenë sjellje të mira dhe t’i mbajnë lidhjet farefisnore me ta, përkundër besimit-fesë së tyre.
Aisheja r.a. ka thënë: “Një grup i hebrenjve hynë te Pejgamberi a.s. dhe i thanë: “Essemu alejkum” (Vdekja qoftë për ju). Aisheja tha: “E kuptova çka thanë dhe u thashë: Edhe për ju qoftë vdekja dhe mallkimi.” I Dërguari a.s. tha: “Ngadalë oj Ajshe. Allahu xh.sh. e do butësinë, mirësjelljen në çdo punë. A nuk i dëgjove ata se çka thanë?!” Dhe tha Pejgamberi a.s. “vealejkum (edhe për ju).” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi,2165).
Kjo vërteton sjelljen e Pejgamberit a.s. ndaj jomyslimanëve, edhe përkundër ofendimeve të tyre, ai u soll me butësi dhe mirësi, ai asnjëherë nuk i ofendoi dhe nuk i nënçmoi ata. Këtë sjellje i Dërguari a.s. e kërkoi edhe nga Aisheja, e nëpërmjet saj edhe nga ne.
Ebu Musa el Eshariu r.a. tregon se hebrenjtë teshtinin në prezencë të Pejgamberit a.s. me shpresën që ai t’u thoshte: “Zoti ju mëshiroftë!”, mirëpo ai u thoshte atyre: “Zoti ju udhëzoftë dhe ua përmirësoftë mendjen tuaj!”. (Transmeton Imam Ahmedi, 19586).
Transmetohet nga Enes bin Malik, i cili ka thënë: “Një djalosh i ri hebre i shërbente Pejgamberit a.s. dhe ai një ditë u sëmur. Pejgamberi a.s. shkoi ta vizitonte. Ai u ulte koka e tij dhe i tha: “Pranoje (Islamin)”. Djaloshi shikoi babanë e tij që ishte prezent. Babai i tij i tha:
“Pasoje Ebu Kasimin (Muhamedin)” dhe ai pranoi Islamin. Doli Pejgamberi a.s. duke thënë: “E falënderoj Allahun, i cili e shpëtoi nga zjarri i xhehenemit.” (Transmeton Buhariu, 1356).
Të gjitha këto hadithe dhe shumë të tjera si këto na tregojnë sjelljen e Pejgamberit a.s. karshi jomyslimanëve, me të cilët ka jetuar bashkërisht. Këto janë mësim për myslimanët se jomyslimanët gëzojnë të drejta në shoqërinë islame, siç janë e drejta për jetesë, e drejta për përkujdesje, e drejta e besimit, e drejta e punës dhe kërkimit të furnizimit, e drejta e mbajtjes së pozitave të ndryshme në shtet dhe ushtrimit të profesioneve të tyre, garanci për implementimin e marrëveshjeve me drejtësi. Këto janë vetëm disa prej të drejtave themelore që i gëzon çdo njeri, por të cilat i gëzojnë edhe jomyslimanët në shoqërinë islame.
Siç përmendëm më herët në hadithet më lartë, se Pejgamberi a.s. na e ndaloi padrejtësinë ndaj jomyslimanëve, marrjen nga pasuria e tyre me dhunë, t’i shkelim të drejtat e tyre apo t’i mbysim ata pa të drejtë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e lëndon një jomysliman (dhimmij) më ka lënduar mua, e kush më lëndon mua e ka lënduar Allahun.” (Transmeton Ebu Davudi)
Pra, prej gjërave që myslimanët kanë obligim t’ua ruajnë jomyslimanëve janë ruajtja e jetës së tyre, pasurisë së tyre, nderit të tyre dhe sigurimi i mjeteve të nevojshme gjatë sëmundjes apo pleqërisë së tyre.

Periudha mekase e Pejgamberit a.s

Gadishulli Arabik ishte vendi në të cilin banonin pjesëtarët e besimeve dhe feve të ndryshme. Këtë gjendje e gjeti edhe Pejgamberi a.s. dhe shpallja e fundit nga ana e Allahut, ku në Mekë kishte pjesëtarë të besimeve të ndryshme, si politeistë, besimtarë të pastër nga feja e Ibrahimit a.s., hebrenj, të krishterë etj.
Pejgamberi a.s. u ballafaqua me gjithë këta pjesëtarë dhe gjitha këto besime. Thirrjen e tij ia dedikoi të gjithëve pa ndonjë përjashtim se cilës fe i takonte. Ai e filloi thirrjen e tij si i Dërguar me ftesën e përgjithshme, që të adhurojnë vetëm një Zot dhe që të largohen nga adhurimet e kota. I ftoi në këtë besim me fjalët e Allahut xh.sh.

Marrëdhëniet e Pejgamberit a.s me idhujtarët

Banorët e Mekës me rrethinë me shumicë ishin idhujtarë. Pejgamberi a.s. prej momentit të parë të thirrjes në besim në një Zot, hasi, në kundërshtime të ashpra, sidomos nga paria e Mekës. Tregohet nga historianët, se Pejgamberi a.s. u ngjit në kodrën Safa dhe i ftoi kurejshitët që të mblidheshin dhe u tha: “O Benu Fihr dhe o Benu Nadir! Sikur t’ju thosha se prapa meje gjendet kalorësia e armikut e cila do t’ju sulmojë, a do të më besonit?” Të gjithë u përgjigjën: “Po.” Atëherë Pejgamberi a.s. ua tërhoqi vërejtjen në ndëshkimin e ashpër që i pret për mosbesimin në një Zot. Atëherë reagoi Ebu Lehebi dhe tha: ”A për këtë na ke ftuar! Qofsh i shkatërruar” (Tefsiri i Taberiut).
Ky ishte ballafaqimi i parë direkt i Pejgamberit a.s. me jobesimtarët, mirëpo Pejgamberi a.s. nuk ishte i njëjtë sikurse jobesimtarët, ai nuk ua ktheu këtë me vrazhdësi, por gjithnjë u fliste me butësi dhe me mirësi.
Fillimisht kurejshitët nuk e penguan Pejgamberin a.s., derisa ai filloi që t’i ftonte që të largoheshin nga idhujt e tyre dhe që të afroheshin te një Zot i vetëm, tek atëherë filluan që kurejshtitët ta shprehnin urrejtjen dhe hasmërinë e tyre për Pejgamberin a.s. sa që tentuan edhe që ta largojnë nga Meka, mirëpo për shkak të pozitës së rëndësishme të familjes së tij, nuk arritën që ta largonin nga Meka, ashtu siç i kishin larguar edhe shumë thirrës për të besuar në fe të pastër. (Ibën Hisham, Jetëshkrimi i Muhamedit a.s.).
Pejgamberi a.s. gjatë qëndrimit të tij në Mekë dhe ballafaqimit të tij me idhujtarët, i ftoi që ta largonin fanatizmin e tepruar familjar, sa që i thirri që ta largonin mburrjen me të parët dhe me fisin e tyre, t’i largonin etiketimet e ndryshme, ta largonin mendjemadhësinë, duke ua kujtuar gjenealogjinë e krijimit të tyre, se janë nga Ademi dhe se Ademi është prej dheu, i ftoi që të largohen nga nënçmimet e fiseve ndërmjet vete, duke i kujtuar se këto janë punë që çojnë në xhehenem. Në këtë kohë, fiset kurejshite bënin ndërmjet vete aleanca të ndryshme, për ta mbrojtur njëri tjetrin, apo për ta luftuar dikë. Një aleancë të tillë, kurejshitët e bënë edhe kundrejt Benu Hashimëve dhe Benu Abdulmutalibëve, pa marrë parasysh myslimanëve apo jomyslimanëve të këtyre familjeve, duke i bojkotuar ata për një kohë, kështu që nuk blenë e as nuk shitën, e as nuk u martuan, derisa të mos e dorëzonin Muhamedin a.s. Kjo ishte gjendja dhe marrëdhënia e Pejgamberit a.s. me idhujtarët. Një sjellje të tillë, Pejgamberi a.s. nuk e zbatoi me rastin e çlirimit të Mekës kur u kthye si një fitimtar, mirëpo ishte i përulur dhe me modesti hyri në Qabe. Kurejshtitët prisnin me frikë vendimin e Pejgamberit a.s. ndaj tyre, duke ditur të bëmat e tyre kundër tij, prisnin ekzekutim ose dënim të ashpër. Por Pejgamberi a.s. me butësi në e tij dhe me mësimet e Fuqiplotit u tha atyre: “Jeni të falur!”.

Marrëdhëniet e Pejgamberit a.s. me besimtarët e pastër të fesë së Ibrahimit a.s.

Ka pasur besimtarë të pastër të fesë së Ibrahimit a.s. që kanë jetuar deri në kohën e ardhjes së Islamit. Nga historianët e ndryshëm mësojmë se Pejgamberi a.s. është takuar me disa pjesëtarë të besimit hanefi, thuhet se edhe prindërit e Pejgamberit a.s. kanë qenë të tillë. Prej këtyre pjesëtarëve ishte edhe Ebu Dherri, prej fisit Gaferr, i cili çdoherë e ka mohuar gjendjen e injorancës dhe i ka urryer ata që i kanë adhuruar idhujt, është falë për Zotin para ardhjes së Islamit, në periudhën tri vjeçare para shpalljes së Islamit pa iu drejtuar kibles. Kjo tregon se ai ka qenë në rrugën e besimit të drejtë. (Ali Sallabi, Jeta e të Dërguarit të Allahut)
Amër bin Abesete es Selemij tregon se në kohën e injorancës e ka ditur që njerëzit janë në një humbje, janë duke adhuruar idhuj dhe kjo rrugë nuk i shpie askund. Kam dëgjuar që një njeri në Mekë është duke shpërndarë thirrjen, i hipa devesë dhe u nisa për tek ai. E kam takuar Muhamedin a.s. duke u fshehur, populli i tij e sfidonin atë. U solla disa herë, derisa hyra në Mekë dhe u takova me të, e i thashë: “Çka je ti?” “Unë jam i dërguar i Zotit”, iu përgjigj Pejgamberi a.s. “Çfarë i dërguari?” Ai tha: “Më ka dërguar Allahu.” “Me çka të ka dërguar?”, iu përgjigja. “Më ka dërguar për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, për thyerjen e idhujve dhe për adhurimin e një Zoti të vetëm.” “Kush është me ty në këtë punë?”, i thashë. Ai më tha: “I liri dhe robi.” Atëherë me të ishin Ebu Bekri, Bilali që tashmë i kishin besuar. I thashë: “Edhe unë do të të pasoj ty.” Më tha: “Ti nuk mund të më pasosh mua në këtë
kohë. A nuk po e sheh gjendjen time dhe të popullit tim në këtë kohë. Ti kthehu te familja jote dhe kur të dëgjosh se kam dalë haptazi, atëherë eja dhe më paso mua.” (Transmeton Muslimi, 1967).
Ky hadith më së miri tregon mënyrë e komunikimit dhe marrëdhëniet e Pejgamberit a.s. me pjesëtarët e këtij grupi të vogël të njerëzve, që besuan besimin e pastër të fesë së Ibrahimit a.s.

Marrëdhëniet e Pejgamberit a.s me hebrenjtë

Në përgjithësi në histori, nuk ka të dhëna të mjaftueshme sa i përket hebrenjve në Gadishullin Arabik, Historiani izraelit Wolfenson në librin e tij “Historia e hebrenjve në tokat arabe” thotë se shkaku i mungesës së të dhënave për sa i përket hebrenjve në kohën e injorancës në Mekë, qëndron në atë se shumë pak hebrenj pranuan fenë islame. Ajo që është ruajtur prej hebrenjve është gjithë ajo që ka të bëjë me hebrenjtë që pranuan fenë islame. (Wolfenson, Historia e hebrenjve në tokat arabe)
Referenca nga ku nxirren marrëdhëniet e myslimanëve me hebrenjtë e kohës së Mekës përkufizohet te Kurani dhe nga ndonjë lajm prej jomyslimanëve. Historianët shënojnë se fërkimi i drejtpërdrejtë mes thirrjes së Muhamedit a.s. dhe hebrenjve ka qenë pikërisht përmes kurejshitëve. Ata me dijen e tyre, i nxisnin kurejshitët që ta pyesnin Pejgamberin a.s për ta vërtetuar pejgamberinë e tij dhe në këtë mënyrë të tërthortë ata luftonin Pejgamberin a.s. Një fakt të tillë na e vërteton edhe ngjarja e dërgimit të dy emisarëve në Medinë për t’i pyetur parinë e hebrenjve për Pejgamberin a.s., për cilësitë e tij, për fjalët e tij, se ata janë pjesëtarë të librave të parë dhe janë më të dijshëm se sa ne. Kur shkuan emisarët dhe takuan rabinët, ata i thanë: “Ju jeni pjesëtarë të Tevratit, ju i njihnin cilësitë e të dërguarve, kemi ardhur që t’ju pyesim për njeriun i cili pretendon se është i Dërguar i Allahut. Na këshilloni!” Rabinët iu përgjigjën: “Pyeteni Pejgamberin a.s. për tri gjëra. Nëse ju përgjigjet për të gjitha, atëherë ai nuk është Pejgamber, nëse nuk ju përgjigjet për asnjërën prej tyre prapë nuk është Pejgamber, e nëse përgjigjet për disa e për disa jo, atëherë është Pejgamber i Allahut.” “Për çfarë ta pyesim?”, thanë emisarët. Rabinët thanë: “Pyeteni për djelmoshat që kanë jetuar në kohët e kaluara, për shpirtin dhe për njeriun i cili iu soll tokës rreth e qark, nga Lindja në Perëndim.” Kur u kthyen emisarët, e pyetën Pejgamberin a.s. me pyetjet që i kishin porositur rabinët. Pejgamberi a.s. u tha do t’u jepte të nesërmen përgjigje. Të nesërmen erdhën përsëri ta Pejgamberi a.s., mirëpo shpallja i ishte ndërprerë për pesëmbëdhjetë ditë, për arsyen se nuk kishte thënë: “Me lejen e Zotit (In-shallah)” (Ibën Is’haku, Jetëshkrimi i Pejgamberit a.s.).
Pas pesëmbëdhjetë ditësh zbritën ajetet e sures El Kehf, në të cilat Allahu xh.sh. i tregon për historinë e djelmoshave, historinë e Dhulkarnejnit dhe në suren Isra, e cila menjëherë gjendet pas sures El Kehf, i tregon për shpirtin, në të cilën thotë: “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaju: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, juve ju është dhënë fort pak dije.” (El Isra, 85)

Marrëdhëniet e Pejgamberit a.s. me të krishterët

Në mesin e banorëve të Mekës në kohën e shpalljes së Islamit, gjendeshin edhe një grup i njerëzve të besimit të krishterë, të cilët ishin të ardhur në Mekë për shkaqe të ndryshme, ndër to përmendim skllavërinë, tregtinë, thirrjen në krishterim dhe profesione të ndryshme. Vlen të theksohet se të krishterët në Mekë nuk arritën që të bëhen faktor ndikues, sa që aty pari në Mekë gjejmë vetëm ndonjë prift apo ndonjë asket, të cilët popujt e tyre i kishin dëbuar nga vendi i tyre. Nga kjo kuptohet se nuk ka pasur pranim të krishterimit në mënyrë të organizuar.
Prej asaj që vërtetohet se ka pasur banorë të krishterë në Mekë është edhe pretendimi i banorëve të Mekës se ishte një i krishterë ai i cili ia mësoi Pejgamberit a.s. Kuranin. Për ta demantuar këtë, Zoti në Kurani shpalli ajetin e 103, të sures En Nahl, në të cilin thuhet:
“Ne e dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhamedin) është ka e mëson një njeri, mirëpo gjuha e tij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është jo arabe, e pa qartë, e kjo (e Kuranit) është gjuhë araba e stilit të lartë e të qartë.” (En Nahl, 103).
Është e qartë se në periudhën mekase, armiqtë e thirrjes islame ishin mushrikët e Mekës, kurse të krishterët nuk kishin marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Pejgamberin a.s., ngase edhe ashtu ata nuk ishin banorë autokton të Mekës. Shohim këtu se kurejshitët i akuzojnë të krishterët se janë duke e përkrahur dhe duke e mësuar Muhamedin a.s. nga Tevrati dhe Inxhili. Këtë na e vërteton edhe fjala e Allahut xh. sh. në Kuran, në të cilën thuhet: “Dhe ata që nuk besuan thanë: “Ky (Kurani) nuk është tjetër vetëm se një gënjeshtër, që e trilloi ai (Muhamedi), të cilit i ndihmuan edhe njerëz të tjerë. Pra ata (idhujtarët) bën shtrembërim e shpifje. Edhe thanë (për Kuranin) janë legjenda të të parëve, që ai (Muhamedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje.” (El Furkan, 4-5).
Se Pejgamberi a.s. kishte marrëdhënie të mira me të krishterët, e dëshmon edhe fakti se atë në fillimin e shpalljes ai kishte përkrahjen e disa të krishterëve, siç ishte Vereka ibën Neufeli etj. Pejgamberi a.s. për të shpëtuar nga mundimet e kurjeshëve u dha leje myslimanëve që të emigronin në Habeshe, pasi ishte siguruar që Nexhashiu ishte njeri i drejtë dhe tek ai nuk bëhej padrejtësi.
Në vitin e pestë të pejgamberisë, në muajin Rexhep bëri hixhret grupi i parë i myslimanëve. Ata ishin 12 burra dhe 4 gra, me në krye Othman ibën Aflanin së bashku me të bijën e Pejgamberit a.s. Rukijen. Sahabët dolën fshehurazi, në errësirën e natës në drejtim të Minas për të vazhduar për në Habeshe. Pas tyre në ndjekje iu vunë dy burra nga paria kurejshite, Amër ibën Asin dhe Abdullah ibën Rebia. Këta të dy, me një plan të menduar mirë i dërguan dhurata priftërinjve dhe i treguan për qëllimin që kishin ardhur, mirëpo Nexhashiu deshi që ta dëgjonte edhe palën tjetër. Në emër të myslimanëve foli Xhaferi, i cili lexoi diçka nga Kurani, konkretisht nga surja Merjem. Atëherë Nexhashiut i rrodhën lotët, aq shumë sa që edhe mjekra iu lag. Bashkë me të qanë edhe priftërinjtë. Pas kësaj, Nexhashiu urdhëroi që t’u ktheheshin mbrapsht dhuratat që kishin sjellë dy delegatët kurejshë. (Safijurrahman el Mubarek-furi, Lulishtja e dritave).
Shohim se qëndrimi i të krishterëve karshi thirrjes së Muhamedit a.s. dhe myslimanëve ka qenë me një sjellje të butë, të urtë, nëse mund ta quajmë një pajtim të plotë me atë që ka thirrur Pejgamberi a.s., siç është rasti i Nexhashiut.

Hoxhë Nexhmi Hoxha

Exit mobile version