Pedofilia në shkollat franceze, shkarkohen dhjetëra mësues

Me rregullimet e reja ligjore kundër ngjarjeve të pedofilisë në rritje në Francë është rritur edhe numri i personave që janë larguar nga puna nëpër shkolla, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Arsimit në Francë njoftoi se kjo ministri vitin e kaluar ka ndërprerë marrëdhëniet me 30 mësues për shkak të krimeve për pedofili apo veprave pornografike të fëmijëve.

Në një deklaratë të publikuar nga ministria informohet se pas hetimeve të kryera përgjatë vitit 2016 “institucioni ka ndërprerë marrëdhëniet me 30 mësues, si dhe 10 mësues janë pezulluar nga detyra”.

Ndër të tjera në deklaratë vihet në dukej se në saje të bashkëpunimit të ngushtë të kryer mes ministrive të arsimit dhe të drejtësisë janë përshpejtuar hetimet në lidhje me rastet e pedofilisë dhe është mundësuar që të kryhen në kohën e duhur procedurat rreth personave të dyshuar.

Disa pretendime në vitin 2015 rreth drejtorit të një shkolle në qytetin Villefontaine bënë jehonë të madhe në opinionin publik. Për drejtorin ndaj të cilit kishte ankesa nga 14 nxënës në shkollë u përcaktua se ai edhe më parë ishte përfshirë në krime të ngjashme në disa shkolla të tjera, krime këto të cilat ishin bërë pjesë e gjykimeve. Ndërsa ishte zbuluar se drejtori kishte vazhduar detyrën e tij për shkak se akuzat dhe vendimet e gjyqësorit nuk i ishin përcjellë Ministrisë së Arsimit.

Pas ngjarjes, kundër rasteve të abuzimeve në rritje me fëmijët nëpër shkollat e Francës, u miratua një ligj vitin e kaluar. Sipas rregullores e cila siguron bashkëpunimin e ngushtë mes ministrive të arsimit dhe të drejtësisë mund të kryhet kontrolli dhe ndjekja e mësuesve të cilët kanë dosje penale dhe janë të dyshuar. Pas miratimit të rregullores është njoftuar se janë vëzhguar dosjet e rreth 360 mijë mësuesve.