Prindërit i trajtojnë fëmijët që kanë kollë me shurup, në vend të trajtimit “tradicional” me mjaltë e limon, thonë doktorët për Daily Mirror.
Dr Oliver Bevington, pediatër, thotë se ilaçet e blera në farmaci mund të dëmtojnë, pasi janë toksike kur merren në doza të mëdha.
Ai thotë se disa përfshijnë edhe paracetamol, dhe prindërit pa vetëdije mund të kalojnë masën me fëmijët e tyre me këtë ilaç.
Pediatri shton se nuk ka ndonjë provë se ilaçet e kollës funksionojnë dhe nëse “bëjnë më shumë mirë apo keq”.
“Ne tani hyjmë në periudhën më të ngarkuar të vitit në spitale, dhe shohim qindra fëmijë në ditë me simptoma të frymëmarrjes, përfshi kollë, ethe dhe temperaturë. Pjesa më e madhe e tyre shkaktohet nga infeksionet virale që mund të trajtohen shumë mirë pa antibiotikë dhe me pushim, lëngje dhe ndonjë paracetamol apo ibuprofen, ndërsa shumë prindër shqetësohen për simptomat dhe mund të dëmtojën fëmijën me shurup kolle”, thotë Dr. Bevington.
Ai këshillon prindërit të përdorin mënyrën tradicionale me mjaltë dhe limon. “Këshilla ime për prindërit është të përdorin metodën e vjetër të mjaltit me limon, qetësinë, shumë lëngje dhe paracetamol apo ibuprofen sipas udhëzimeve, dhe nëse simptomat zgjasin më shumë se disa ditë atëherë duhet të konsultoheni me mjekun apo farmacistin”, thotë ai.