PE rekomandon pezullimin e përkohshëm të negociatave BE-Turqi

Parlamenti Evropian (PE) miratoi projektrezolutën e cila rekomandon ngrirjen e përkohshme të negociatave mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) dhe e cila nuk ka fuqi ligjore, raporton Anadolu Agency (AA).

Projektrezoluta e cila u diskutua ditën e martë në seancën plenare të PE-së dhe e cila u votua sot u pranua me 479 vota pro dhe 37 kundër. Njoftohet se në votim 107 anëtarë kanë abstenuar.

Në rezolutë kërkohet që negociatat e anëtarësimit të ngrihen përkohësisht për shkak të kushteve të rezultuara nga gjendja e jashtëzakonshme dhe situata në vend pas tentativës për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik.

Në rezolutë theksohet se për të filluar përsëri negociatat e anëtarësimit duhet të hiqet nga zbatimi gjendja e jashtëzakonshme, BE-ja dhe PE-ja janë duke dënuar fuqishëm tentativën për grusht shteti dhe se është e drejta legjitime Turqisë për ti gjykuar përgjegjësit.

PE-ja nuk ka të drejtë për të vendosur rreth përfundimit ose ngrirjes së negociatave të anëtarësimit, ndërsa rezoluta në fjalë ka më shumë një mesazh në aspektin politik për Këshillin e BE-së dhe qeveritë e shteteve anëtare.

Çështja për negociatat e anëtarësimit mes Turqisë dhe BE-së, pritet të jetë në rendin e ditës në Samitin e Liderëve të BE-së në muajin dhjetor.