PDK vendos që për një javë të mos marrë pjesë në seancat e Kuvendit

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se PDK përgjatë kësaj jave nuk do të marrë pjesë në seancat parlamentare, apo në zhvillimet e tjera që kanë të bëjnë me Kuvendin.

Tahiri duke përmendur zhvillimet e fundit në vend, tha se ky është akt që ka të bëjë me nevojën e brendshme për senzibilizim.

“Që nga 5 nëntori i këtij viti me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj ish-çlirimtarëve të vendit, Kosova si shtet është duke kaluar një rrethanë aspak të zakonshme, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Prej ditesh në Hagë janë duke u paraqitur si të akuzuar ish-drejtuesit kryesor të UÇK-së, ndër ta Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i zgjedhur nga ky Kuvend si president, por edhe si kryeministër për dy mandate. Kadri Veseli ish-Kryetar i këtij Kuvendi, si dhe Jakup Krasniqi si ish Kryetar i Kuvendit të Kosovës për dy mandate, e sot pritet të paraqitet edhe Rexhep Selimi, shefi i grupit më të madh parlamentar opozitar”, tha Tahiri, transmeton lajmi.net.

Tutje ai shtoi se për këtë fakt ky zhvillim prek edhe traditën e Kuvendit dhe se spaku ka nevojë për një reflektim solidar nga partitë përballë këtij zhvillimi.“Kemi nevojë për të shtyrë prezencën tonë për një javë nga zhvillimet e zakonshme të këtij Kuvendi, përgjatë kësaj jave PDK, s’do të marrë pjesë në agjendë, ky akt ka të bëjë me nevojën tonë të brendshme, saktësisht me sensibilizimin. Presim edhe nga partitë e tjera t’i bashkohen kësaj nisme.”, shtoi ai.