PDK thotë se Konjufca është përgjegjës për skandalin me Xhamajkan

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme është përgjegjëse për skandalin për (mos)njohjen nga ana e Xhamajkas.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht kush e ka publikuar lajmin i pari, MPJ-ja nuk është dashur të shkruante për njohje nëse nuk e ka pasur notën verbale.

“Sa i përket politikës së jashtme dhe skandalit të Xhamajkas, për ne shumë pak e rëndësishme është kush ka folur i pari a i fundit. Me rëndësi është që ministri i Punëve të Jashtme, Konjufca të kuptojë rolin dhe detyrat që ka. E kuptojmë që është i ri në atë pozicion, por ministri i Punëve të Jashtme është instanca e vetme zyrtare që konfirmon pranimin ose jo të ndonjë note verbale për njohje nga shtetet. Ka gabuar shumë kur ka publikuar dhe ka penguar një shtet që ndoshta ishte në prag të njohjes”

Sipas tij, Konjufca e ka pranuar se Xhamajka na ka njohur si shtet dhe siç thotë ai, si i tillë ai është përgjegjës.

“Ministri është përgjegjës për veprimet që bën në fushën e tij. Ai e ka pranuar që Xhamajka na ka njohur si shtet dhe si i tillë ai është përgjegjës, është instanca më e lartë dhe e vetme për këto çështje”, ka thënë Bytyçi.