PDK: Sulmi ndaj Komunës së Zveçanit, përpjekje për të frikësuar kryetarin Peci

Partia Demokratike e Kosovës e ka dënuar si akt kriminal sulmin e së enjtes me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës.

Sipas PDK-së, ky sulm është një përpjekje e qartë për të frikësuar kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Pecin, dhe ekipin e tij, të cilët siç thuhet po punojnë pa u ndalur për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallime.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen”, thuhet në reagim.

Më tej, PDK-ja u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe sistemit të drejtësisë që ta hetojnë me urgjencë këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para drejtësisë.

“Si PDK, e ripërsërisimin kërkesën tonë ndaj organeve të rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e Kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit”, theksohet në reagim.

Në fund thuhet se siguria dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të mbeten përparësi e lartë, dhe sipas tyre pandëshkueshmëria për akte të tilla nuk mund të tolerohet.