Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e sotme të thirrur nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Uran Ismaili, derisa ka folur për formimin e Qeverisë së re dhe qëndrimit të PDK-së, ka thënë se opsionet janë me partitë opozitare.
Në adresimin për media pas përfundimit të mbledhjes, Ismaili ka thënë se ideja e vijave të kuqe nuk nënkupton vetëm koalicionin.
“Fushata jonë ka qenë fushatë që ka tentuar t i përafrojë qytetarët në bazë të një programi dhe vizioni për zhvillim të vendit. Ideja e vijave të kuqe nuk domethënë gjithnjë në kuptimi e koalicionit. Si opozitë kemi thënë sa i përket formimit të Qeverisë, i takon partisë që ka dalë e para që ta ketë aftësinë, bashkëpunimin dhe komunikimin për ta formuar Qeverinë. Nuk jemi në atë fazë, nuk kemi vënë kushte. Opsionet janë me partitë opozitare. Ne e kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë, por edhe një besim të madh që e kemi një kandidat që arrin ta formojë një shumicë nëse kemi një paaftësi të partisë se parë që ta formojë qeverinë”, ka thënë ai.
Ismaili tutje ka thënë se nuk e sheh pengesë zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive që pritet të mbahet më 15 prill.
“Po besoj se Kuvendi gjithmonë kryetari është zgjedhur nuk shoh ndonjë pengesë. Sa i përket ftesës është hipotetike andaj mos të përgjigjem. Ne nuk e kemi votuar as herën e kaluar kryetarin e Kuvendit, por kryetari është zgjedhur”, është shprehur ai.