Ballina Lajmet Kosovë PDK-ja e AAK-ja të angazhuara për krijimin e Qeverisë nga opozita

PDK-ja e AAK-ja të angazhuara për krijimin e Qeverisë nga opozita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të turpshme ndarjen e mundshme të Fatmir Limajt dhe NISMËS Socialdemokrate, për t’iu bashkuar pushtetit.

Haradinaj ka thënë të hënën se AAK-ja do ta votojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por është e angazhuar në krijimin e Qeverisë nga opozita.

“Ne e votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kuptohet do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare me PDK-në dhe LDK-në. Po besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve e më pastaj pra sikurse ju e dini AAK-ja angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë ose moskrijimit nga pozita. S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e z. Limaj. Ka qenë shumë e vështirë, pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe ma të vështirë dhe nëse NISMA e Limaj mbështesin pushtetin kuptohet që ata ndahen nga ne. Po është një ndarje mjaft e turpshme sepse kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Ju tregova që është një ndarje e turpshme sepse kemi shkuar në gjithë vendin dhe kemi kërkuar votë për ndryshim”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka thënë se ky grup parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim derisa nuk ka zgjedhje “të qëndrueshme” për Kosovën.

Ai ka bërë thirrje për partitë tjera politike që t’i mbajnë premtimet dhe mos ta mundësojnë formimin e qeverisë “Kurti 3”.

“E sigurisht zgjedhje e qëndrueshme për Kosovës është zgjedhja e Bedri Hamzës si udhëheqës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me të besoj që do të krijohet edhe stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend. Ne i bëjmë thirrje dhe individuale edhe publike e sigurisht edhe takime me partitë politike që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë në mosdhënien e mundësisë së ‘Kurti 3’ në Kosovë. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka thënë se formimi i Qeverisë i takon fillimisht Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Po nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm dhe sikurse e dini edhe ju, rregullat thonë që partia më e madhe, që në këtë rast Vetëvendosja, ka drejtën e propozimit të kryeparlamentarit dhe nuk e shoh ndonjë problem në atë aspekt edhe pse mund të pyesni se a i ka numrat, unë nuk jam përgjegjës sa i përket asaj pune, por gjithqysh jam besimtar në krijimin e një qeverie, me të cilën partia më e madhe, partia politike e cila e ka marrë pothuajse gjysmën e ulëseve të cilat i takojnë komunitetit shqiptar, normalisht se është adresë e duhur për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.

Exit mobile version