Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka theksuar se konferencën e jashtëzakonshme për media, e kanë thirrur për shkak të sulmit që ka ndodhur sot në mesditë, ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci.
Ai ka thënë se aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), e kanë sulmuar dhe rrahur brutalisht Vitore Metaj – Stavilecin.
“Ajo para se të jetë bashkëshorte e ministrit Stavileci, është motra e dikujt dhe një nënë shqiptare. Tash po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Miqtë dhe kolegët po qëndrojnë pranë tyre”, ka shtuar Ismaili.
Sipas tij, ky sulm është kryer nga grupe siç i quan ai kriminale dhe nga njerëz që duan të shkatërrojnë shtetin, terrorizojnë familjet e njerëzve që nuk mendojnë si ata.
“Blerand Stavileci ka qenë njëri nga zërat me kritik për mënyrën se si po drejtohet Komuna e Prishtinës, andaj pas sulmit Vitores i është thënë se ‘të shohim se a do të flet prapë Blerandi, pas këtij veprimit’”, ka theksuar Ismaili. /Telegrafi/