Ballina Lajmet Kosovë PDK dhe LDK, shpenzuesit më të mëdhenj të fushatës

PDK dhe LDK, shpenzuesit më të mëdhenj të fushatës

Demokracia Plus dhe Çohu kanë prezantuar sot të dhënat lidhur me shpenzimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe sipas tyre koalicionet PDK- AAK-NISMA dhe koalicioni LDK- AKR- Alternativa janë shpenzuesit më të mëdhenj gjatë kësaj fushate 4 ditore.

Në bazë të të dhënave që kanë dal nga ky hulumtim nga monitorimi 4 ditor për shpenzimet gjatë fushatës zgjedhore koalicioni PAN ka rezultuar të jetë shpenzuesi më i madh me spote televizive me gjithsej 55 mijë euro të harxhuara, ndërsa LDK-AKR-Alternativa për spote televizive ka shpenzuar gjithsej 25 mijë euro.Përfaqësuesi nga Demokracia Plus, Isuf Zejna tha qëllimi i këtij monitorimi është krahasimi i shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore me çmimet në treg.

Sipas Zejnës përveç monitorimit në teren këto dy organizata monitorojnë edhe shpenzimet e partive politike në media, dhe sipas tij ka rënie të shpenzimeve të partive politike në gazeta në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Rezultatet që kanë dal nga monitorimi i shpenzimeve të partive politike në televizione kanë treguar se në ditën e parë prinë koalicioni PAN me gjithsej 4200 euro shpenzime vetëm për spote televizive, ndërkaq LDK, AKR-Alternativa ka shpenzuar gjithsej 700 euro në ditën e parë të monitorimit.

Çohu dhe Demokracia Plus kanë monitoruar edhe mediat online dhe sipas rezultateve prinë PAN me gjithsej 23 mijë euro, pastaj renditet LDK-AKR-Alternativa me gjithsej 20 mijë euro.

Zejna tha se një shumë e madhe e shpenzimeve bëhet edhe për transmetime direkte. Ndërkaq përfaqësuesi i organizatës Çohu, Genc Nimoni tha se për këtë monitorim janë mbuluar gjithsej 24 komuna nga gjithsej 22 monitorues, me qëllim të identifikimit të materialeve të cilat kanë kosto.

Sipas Demokracia Plus dhe Çohu, partitë politike për një tubim të madh zgjedhor shpenzojnë gjithsej 3 mijë deri në 7 mijë euro. Gazetat e monitoruara janë: Zëri, Kosova Sot, Epoka e re, etj, nga televizionet e monitoruara janë RTK, Klan Kosova, Kohavision, RTV21, dhe disa nga portalet janë: gazeta Express, Indeksonline,Blic, etj.

Exit mobile version