Partia e Drejtësisë-Dega Gjakovë, për nder të festës së Kurban Bajramit, organizoi aktivitetin humanitar, tashmë tradicional të shperndarjes së pakove ushqimore për familjet me nevoja të veçanta.
Ky është viti i shtatë radhazi që përmes këtij aktiviteti synohet që familjeve me nevoja të veçanta (duke përfshirë jetimët, familjet e dëshmorëve,personat me aftësi të kufizuara, skamnorët dhe kategori të tjera në nevojë, që për fat të keq po shënojnë rritje në komunën e Gjakovës) t’iu sigurohen ushqimet themelore, duke dashur që sado pak të kontribohet në pasurimin e sofrave të tyre në ditët festive.
Në kuadër të këtij aktiviteti modest, është realizuar shpërndarja e 110 pakove ushqimore për po aq familje në nevojë të komunës së Gjakovës.
Me këtë rast falënderojmë të gjithë ata që shprehën në vepër solidaritetin dhe humanizmin, duke përcjellur kështu mesazhet që e karakterizojnë këtë festë dhe mbështeten fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë dhe dashurisë vëllazërore.
Dhashtë Zoti qe sa më parë të përmisohet gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike në vendin tonë, duke uruar njëherit që kjo festë të jetë edhe një rast, për të shpalosur akoma më thellë ndjenjat e vullnetit të mirë dhe respektit të ndërsjellët.