Ballina Artikuj Pavlefshmëria e Dynjasë tek Allahu

Pavlefshmëria e Dynjasë tek Allahu

Xhabir ibn Abdullahu (r.a) tregon, se Profeti (a.s) po kalonte në treg e në krah të tij kishte njerëz. Kur kaloi pranë një keci veshprerë të ngordhur, e mori e kapi prej veshësh pastaj tha:

“Kush e do këtë me një dinar?

Nuk e duam, çfarë të bëjmë me të?- thanë shokët e tij.

A dëshironi që të jetë i juaji?- pyeti përsëri Profeti (a.s)

Betohemi në Allahun, se po të ishte gjallë, nuk do ta dëshironim, për shkak të mangësisë së veshëve të prerë e jo më ta dëshirojmë të ngordhur – thanë shokët e tij

Profeti (a.s) tha: Betohem në Allahun, se jeta e kësaj bote është më e përbuzur tek Allahu se përbuzja që keni ju për këtë.”[1]

Dritë mbi kuptimin e hadithit:

Tregu është vendi ku grumbullohen njerëzit dhe vendi i punës së tyre. Ai është i predispozuar që në të të ketë gjëra të këqija, siç janë: mashtrimi, betimi i rrejshëm, përgojimi dhe shikimi i pjesëve të turpshme. Kjo ndodh, për shkak të kredhjes në kënaqësitë e kësaj bote dhe harresës së jetës së botës tjetër. Prandaj prej urtësisë së Profetit (a.s) ishte, se i përkujtoi njerëzit me jetën e botës së tjetër, u qartësoi kotësinë dhe përbuzjen e Allahut ndaj jetës së kësaj bote. I mësoi ata, duke ju dhënë një shembull praktik: Jeta e kësaj bote nuk duhet të jetë synimi i myslimanit, që të rendë e të ketë tendencë drejt saj. Ajo është një mjet, për të qenë i devotshëm në përkushtimin ndaj Allahut dhe përgatitjen me furnizim për botën tjetër.

Ajo që e tërheq më tepër vëmendjen e njerëzve në treg, kur ata janë në kulmin e punës në shit-blerje, është që t’i drejtohesh atyre me fjalë që përkojnë me gjendjen e tyre. Për këtë arsye Profeti (a.s). i pyeti duke thënë: “Kush e do këtë me një dinar? Me këtë ai sikur dëshiron t’u paraqesë shitjen e kecit të ngordhur, gjë që i motivoi të përqëndroheshin. Por ata të habitur iu përgjigjën: “Nuk e duam”, sepse ai tashmë nuk kishte asnjë dobi ashtu i ngordhur, ngaqë ishte i papastër dhe nuk hahej. Profeti (a.s.) i pyeti për herë të dytë: “A dëshironi që të jetë i juaji? (falas pa pagesë). Por përsëri përgjigja e tyre ishte si e para, që nuk tregonte aspak interes për të, sepse edhe nëse do të ishte gjallë nuk do ta dëshironte askush, për shkak të mangësisë e jo më ta dëshironin të ngordhur.

Në këtë çast vjen mësimi i urtë profetik me një stil të mrekullueshëm, duke ju sqaruar vlerën e vërtetë të jetës së kësaj bote tek Allahu, se ajo është më poshtë dhe ka vlerë më të pakët se ky kec i ngordhur. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz, premtimi i Allahut është i vërtetë. Prandaj mos t’ju mashtrojë jeta e kësaj bote e mos t’ju mashtrojë mashtruesi (shejtani)”[2]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Parapëlqehet që ftuesi gjatë ftesës të përdorë të gjitha format dhe mënyrat për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Prej këtyre metodave janë: dhënia e shembujve nga realiteti i tyre i përditshëm, përfitimi nga ndodhitë dhe ngjarje si dhe vizita e njerëzve në vendet e tyre të punës për t’ia kujtuar atyre Allahun.

2 – Vlera e ulët që ka Dynjaja tek Allahu. Nëse Allahu i dhuron dikujt nga kënaqësitë e Dynjasë, kjo nuk është dëshmi se ai është më i mirë se të tjerët.

3 – Muslimani nuk duhet t’i japë rëndësi çështjeve të jetës së kësaj bote dhe të harrojë atë që është më e rëndësishme: përkushtimin ndaj Allahut, sepse Dynjaja është e përkohshme.

Autor: Enes Kerezuni

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muslimi (2957).

[2] – Sure Fatir: 5.

Exit mobile version