Në mesin e afër 300 xhamive në Rripin e Gazës, prej të cilave më shumë se 200 janë të shkatërruara plotësisht, disa akoma vazhdojnë të thërrasin ezanin në muajin e shenjtë musliman të Ramazanit, raporton Anadolu.
Pamjet tregojnë minaren e padëmtuar të xhamisë Al-Awda që qëndron mbi rrënojat e të gjitha pjesëve të tjera të shkatërruara të xhamisë, nga e cila dëgjohet qartë ezani.
Dikur një qendër e gëzimeve dhe festave të Ramazanit, tani xhamia është e mbërthyer nga dhimbja, pikëllimi dhe uria e banorëve.
Shkatërrimi i zonave të banuara, përfshirë spitalet, strehimoret, shkollat, kishat dhe xhamitë, ka qenë pjesë e sulmit të vazhdueshëm izraelit në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi.
Të paktën 32.200 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 74.500 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.