Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se përderisa rezoluta e Kuvendit të Kosovës për pezullimin e dialogut me Serbinë është në fuqi, Qeveria e Kosovës do e respektojë atë plotësisht, ashtu siç është respektuar prej ditës së parë që është miratuar.
Tahiri në një deklaratë për Indeksonline, ka thënë se pavarësisht shtyrjes së vendimit për Ramush Haradinaj, ata do jenë serioz në respektimin e rezolutës për pezullimin e dialogut.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do ta respektojë plotësisht këtë rezolutë ashtu siç e kemi respektuar prej ditës së parë prej që është miratuar kjo rezolutë. Sigurisht që kjo rezolutë ka efektet e veta në kuptimin që Serbia ka qenë gjithmonë e papërgjegjshme. Përderisa në njërën anë bën dialog me Kosovën në anën tjetër bën veprime destruktive që tregojnë që nuk punon në frymën e dialogut për fqinjësi të mirë. Pavarësisht që si do të sillet Serbia, ne gjithë këto 6 vite jemi treguar serioz në këtë dialog dhe tani do të jemi po ashtu serioz në respektimin e rezolutës për pezullim të dialogut”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket deklaratave të senatori amerikan, John McCain, se dialogu duhet të vazhdojë, Tahiri thotë se kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky dialog, megjithatë, ajo thotë se respektimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës është obligim i Qeverisë.
“Deklarata e senatori McCain tregon se sa i rëndësishëm është ky dialog i Brukeslit për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne vazhdimisht si Qeveri kur e kemi pranuar dialogun dhe gjatë procesit të arritjes së marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre, gjithmonë e kemi bërë të qartë se ky është një proces që po ndihmon fqinjësinë e mirë dhe duhet të rrumbullakohet me njohjen reciproke të dy shteteve. Edhe senatori në këtë rast ka potencuar rëndësinë e këtij dialogu për të dyja shtetet, sepse dialogu po ndihmon edhe për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Në anën tjetër që ne si Qeveri e Kosovës kemi obligim institucional për të respektuar rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Pra këto janë obligime tona institucionale”, ka shtuar më tej ajo.
Një muaj më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar një rezolutë me anë të së cilës kërkohet lirimi i pakusht i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, e po ashtu parashihej pezullimi i dialogut deri në lirimin e tij.