Ballina Lajmet Kosovë Pavarësisht ankesave, kosovarët të parët për pushime në Shqipëri

Pavarësisht ankesave, kosovarët të parët për pushime në Shqipëri

Edhe pse kanë ankesa turistët nga Kosova për kushtet, çmimet dhe trajtimit që i bëhen nga hotelet shqiptare, numri i kosovarëve që vizitojnë Shqipërinë prapë mbetet i lartë. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ende mbetet vendi më i preferuar i qytetarëve të Republikës së Kosovës për pushime.

Se trajtimi nuk është në nivelin e kërkuar në Shqipëri, tregon edhe rasti i një qytetari nga Kosova me rastin e rezervimit të hotelit, ku ai është përballur me sharje e fyerje edhe pse zyrtarë të hotelit nuk i kishin konfirmuar rezervimin e dhomës.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), gjatë vitit 2017, nga Kosova drejt Shqipërisë u shënuan 1,745,973 hyrje.

Hyrjet nga Kosova vijojnë të mbeten në vend të parë në listën e vendeve nga ku vijnë vizitorë në Shqipëri. Në vend të dytë është Maqedonia, ku vetëm gjatë vitit 2017 janë shënuar më shumë se 671 mijë hyrje, ndërsa në vend të tretë Greqia me mbi 489 mijë hyrje gjatë gjithë vitit, e ndjekur nga Mali i Zi me 381 mijë hyrje, shkruan Telegrafi.

Duke analizuar të dhënat për lëvizjet e shtetasve ndërmjet dyjave vendeve, rezulton se gjatë vitit 2017, krahasuar me vitin 2016 është shënuar një rënie prej 411 mijë hyrje, apo 19 për qind e vizitorëve nga Kosova.

Në anën tjetër, vitet e fundit, Kosova po njeh rritje të konsiderueshme të turistëve nga Shqipëria.

Falë pozitës së mirë gjeografike dhe burimet e shumta natyrore po e bëjnë vendin tonë një nga vendet më të përshtatshme për t’u vizituar nga turistët. Dhe kërkesat kryesisht për vizitë në Kosovë janë një apo dy ditore dhe kryesisht kanë motiv trashëgiminë kulturore dhe qendrat urbane.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i vizitorëve nga Shqipëria ka shënuar rritje. Gjatë vitit 2017, nga Shqipëria në Kosovë u shënuan 1 milion e 164 mijë e 973 hyrje, prej të cilave 929,059 hyrje ishin për vizitë miqve dhe të afërmve, ndërsa vetëm 3,033 hyrje ishin për pushime.

Nga numër i tërësishëm i hyrjeve, mbi 90 për qind e tyre nuk kishin afat të kohës së qëndrimit, ndërsa 13,275 hyrje ishin regjistruar se kanë qëndruar më pak se 11 ditë.

Sipas ASK-së, në raportin e “Statistikat e Hotelerisë, tremujori i parë 2018”, thuhet se 20 për qind e vizitorëve të tërësishëm në Kosovë vijnë nga Shqipëria.

“Bazuar në numri e vizitorëve të jashtëm dhe netëqëndrimet e tyre, në tremujorin e parë të vitit 2018 janë regjistruar 36,968 vizitorë me 51,132 netëqëndrimi. Nga Shqipëria, Kosovën e kanë vizituar 8,053 vizitorë me 9,630 netëqëndrimi”, thekson raporti i ASK-së, shkruan Telegrafi.

Gjatë vitit 2017, nga Shqipëria në Kosovë pushuan 15,147 vizitorë me 21,975 netëqëndrimi.

Sipas ASK-së, në vend janë identifikuar 453 njësi akomoduese me 6,806 dhoma dhe 10,710 shtretër. Numri më i madh i njësive akomoduese gjendet në Komunën e Prishtinës me 143 njësi, pastaj radhitet Peja me 85 njësi, Prizreni me 74 njësi dhe Ferizaj me 62 njësi.

Exit mobile version