Ballina Lajmet Kosovë Pavarësie Sopa, vajza që thotë se lindi me emër

Pavarësie Sopa, vajza që thotë se lindi me emër

Më 17 shkurt të vitit 2008, familja Sopa nga Komuna e Lipjanit, kishin gëzim të dyfishtë.

Ishin shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe ardhja në jetë e vajzës së tyre të parë të cilën e pagëzuan me emrin Pavarësia dy gëzimet në një ditë të kësaj familjeje.

Që nga ajo ditë kjo familje emrin Pavarësia e shqipton disa herë në ditë.

Pavarësia e ka arritur një dekadë jetë. Ajo është nxënëse e shkëlqyer e klasës së 4 në Shkollën Fillore “Hasan Zyko Kamberi” në fshatin Sllovi, raporton Kallxo.com.

Ajo krenohet që ka lindur me emrin i cili ka domethënie të dyfishtë.

“Mua nuk ma ka lënë askush emrin, unë kam lindur me emër”, tregon ajo.

Duke e përshkruar se çfarë ka ndodhur ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç i kanë treguar prindërit e saj, ajo thotë se ishte një gëzim shumë i madh për shqiptarët e Kosovës.

“Deri në ditën e 17 shkurtit shqiptarët kanë vuajtur dhe kur erdhi kjo ditë Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik dhe atë moment unë kam lindur 5 minuta pas shpalljes së pavarësisë”, tha ajo.

Pavarësia, ka synime që të jetë një nxënëse e shkëlqyer, ndërsa profesionet që aktualisht i pëlqejnë janë tri: mësuese, doktoreshë dhe aktore.

“Unë po mendoj që është mirë të jesh nxënëse e shkëlqyeshme dhe të ardhmen e shikoj se çfarë më shkon për shtati. Por, tri profesionet që më kanë lënë përshtypje më së shumti janë aktore, doktorëshë dhe mësuese”, tha Sopa.

Ajo ka luajtur edhe rolin e mësueses për KALLXO.com ku ka lexuar dhe shpjeguar disa tekste mësimore.

Ndër të tjera, Pavarësia çdo vit është e kërkuar për intervista dhe kjo gjë i pëlqen dhe nuk është lodhur.

“Kam dëshirë që të jem e famshme”, shprehet ajo.

Ajo ka falënderuar për përkrahje edhe shokët e shoqet e klasës, e gjithashtu mësueset e saja që e mësojnë.

“Më përkrahin gjithmonë shokët dhe shoqet, e po ashtu edhe mësuesja që e dua është Mimoza Kryeziu, e falënderoj shumë dhe mësuesen e anglishtes Vlora Aliu”, tha ajo duke treguar se lëndët e preferuara të saj janë anglishtja dhe matematika.

Ajo në fund të intervistës e ka dhënë edhe një urim.

“Ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e pavarësisë”, tha vajza e cila mbushi një dekadë jetë së bashku me pavarësinë e vendit.

Exit mobile version