Turqia dhe Rusia do të fillojnë patrullimet e përbashkëta në Idlib në veriperëndim të Sirisë më 15 mars në bazë të armëpushimit të arritur këtë javë, tha ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Që nga 15 marsi, ne do të fillojmë patrullimin në nyjet përgjatë autostradës M4. Ne filluam të punojmë sipas parimeve të korridorit të sigurisë që do të vendoset përgjatë autostradës”, tha Akar në provincën jugore Hatay të Turqisë, në kufi me Sirinë.
Një komitet ushtarak rus do të vizitojë Turqinë në fillim të javës së ardhshme, shtoi ai.
“Ne presim një armëpushim të përhershëm dhe të sigurojmë një mjedis për kthimin e më shumë se një milion njerëzve të pafajshëm të zhvendosur, 81 për qind e tyre gra dhe fëmijë”, tha ai.
Asnjë shkelje e armëpushimit nuk është raportuar që nga e enjtja, kur zyrtarët turq dhe rusë arritën marrëveshjen e re për Idlibin në Moskë, tha Akar.
“Ne dëshirojmë që të gjithë ta dinë se do të kundërpërgjigjemi intensivisht për çdo sulm ndaj trupave turke ose pikave të vëzhgimit në Idlib sipas së drejtës tonë për vetëmbrojtje”, shtoi ai.
Të enjten, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin ranë dakord për një armëpushim të ri në Idlib, i cili hyri në fuqi që nga orët e para të së premtes.
Sipas marrëveshjes, të gjitha aktivitetet ushtarake do të përfundojnë në Idlib, me krijimin e një korridori të sigurisë 6 kilometra në veri dhe jug të autostradës kryesore M4.
Sipas marrëveshjes, patrullimet e përbashkëta turko-ruse do të fillojnë më 15 mars përgjatë autostradës M4 nga vendbanimi Trumba, 2 kilometra në perëndim të Sarakibit, deri në vendbanimin Ain al-Havr.
Turqia filloi Operacionin “Mburoja e Pranverës” më 27 shkurt pasi 36 ushtarë turq ranë dëshmorë muajin e kaluar pas një sulmi ajror të regjimit të Asadit në provincën Idlib dhe pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimeve të mëparshme. Sipas marrëveshjes së vitit 2018 me Rusinë, trupat turke gjenden në Idlib për të mbrojtur civilët nga sulmet e regjimit dhe aleatëve të tij.