Patriotizmi e atdhedashuria përtej të brohoriturave

Dr. Besim Arbanashi

Dashuria për atdheun është intuitë me të cilën kemi lindur, deri aty sa që ne shohim edhe zogun shtegtar të etur për atdheun, tek sa një ditë i kthehet atij.
Atdheu është ajo copë toke në të cilën kemi lindur dhe jemi rritur, dëshmitar i gëzimeve dhe hidhërimeve tona, zemra ngjitet pas tij…
Sa do që endemi përreth e sytë mund të na mbushen me magjepsje nga ajo që shohim, ne prapë mbetemi të lidhur me tokën ku na ka rrahur për herë të parë zemra.
Dashuria e atdheut krahas nostalgjisë për te, mbart në vete edhe ndjenjën e përgjegjësisë karshi tij.
Ne lindëm në tokën e tij dhe u ushqyem me të mirat e tij, ndaj nëse përkatësia ndaj tij është nder, besnikëria mbetet detyrim!

Përkatësinë e mirëfilltë për atdheun ne e mësuam nga prindërit dhe gjyshërit tanë! Na ishte dashuri pa kusht e pa ambicie për të fituar avantazhe. Shumica prej tyre nuk i përkisnin asnjë partie politike. Pa zhurma të thata, ishin në gjendje të sakrifikonin çdo gjë për te! Të tillë burra e këso dashurie do të ketë në çdo kohë. Jemi dëshmitarë dhe kemi parë e shohim edhe sot.
Kur flasim për të tashmen, jemi dëshmitarë po ashtu të një kategorie njerëzish te të cilët atdhedashuria është e kushtëzuar. Të tillët patriotizmin e kanë të shtrirë në drejtim të interesave të tyre e jo interesave të atdheut. Dashuri që ka kaluar nga niveli i pastër intuitiv në nivelin e interesave personale. Të flasin për patriotizëm por në veprimet e tyre vetëm patriotizëm nuk gjen. Flasin për drejtësi, por qeverisen nga drejtësia e interesave të tyre. Flasin për ligje por janë të parët që i shkelin ato.
Atdheut i duhen shpirtra të sinqertë e të dëlirë, për ta ndërtuar dhe ngritur lart në mesin e vendeve të përparuara. Shpirtra nga të cilët burojnë shumë vepra e pak fjalë e parulla.
Në kohë paqeje, edhe ruajtja e pastërtisë është patriotizëm, përmbushja e detyrimeve në vendin e punës është patriotizëm, respektimi i ligjit dhe rendit publik është patriotizëm, mbështetja e nevojtarëve është patriotizëm…
Kur flasim për patriotizëm e atdhedashuri le t’i bëjmë ato qëndrime e veprime paraprakisht!

Allah ruaje atdheun tonë, ruaji ata që e duan ate njëmend!
Amin

Dr. Besim Arbanashi