Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Patriku Latin i Kudsit, në meshën e Krishtlindjeve në Betlehem bën thirrje...

Patriku Latin i Kudsit, në meshën e Krishtlindjeve në Betlehem bën thirrje për mbështetje për Gazën

Patriarku Latin i Kudsit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, kërkoi solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës në meshën e Krishtlindjeve të mbajtur në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

Pizzaballa, i cili drejtoi meshën e mesnatës të mbajtur për Krishtlindjet në Kishën e Lindjes në Betlehem, ku sipas besimit të krishterë besohet se lindi Jezu Krishti, bëri thirrje për “forcimin e drejtësisë dhe sigurimin e paqes për të gjithë”.

“Dëshiroj të falënderoj vëllezërit dhe motrat tona në Gaza, me të cilët jam takuar së fundmi. Lutjet dhe solidariteti ynë janë me ju. Ju nuk jeni vetëm”, tha ai.

“Ju jeni një shembull i prekshëm i shpresës në fatkeqësinë dhe shkatërrimin që ju rrethon. Ju nuk u dëshpëruat, por qëndruat fort të bashkuar në shpresë. Faleminderit për këtë dëshmi të mrekullueshme të forcës dhe paqes. Edhe këtë vit, Krishtlindja për ju dhe vëllezërit dhe motrat e mia në Betlehem, kaloi me pikëllim, shqetësim, varfëri dhe dhunë. Sot, ditën më të rëndësishme për ju e kaluat edhe një herë në dhimbje dhe duke pritur ditë më të mira. Mos e humbisni shpresën. Ta ripërtërijmë besimin për Zotin. Ai asnjëherë nuk na lë vetëm”, shtoi Pizzaballa.

Më parë është njoftuar se festimet në vendet me rëndësi fetare për të krishterët në qytetin e Betlehemit do të kufizoheshin në rituale fetare dhe se festimet e Krishtlindjeve do të anuloheshin për shkak të sulmeve në Gaza.

Këshilli i Kryesisë së Lartë të Kishave në Palestinë njoftoi gjithashtu më 23 nëntor se festimet e Krishtlindjeve do të kufizohen në përmbajtje fetare edhe këtë vit për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës.

Kryebashkiaku i Betlehemit Anton Selman tha në një konferencë për shtyp në lidhje me festimet e Krishtlindjeve: “Komuna ka vendosur të kufizojë festimet e Krishtlindjeve këtë vit në lutje dhe rituale fetare, në mënyrë që të konfirmojë se ne refuzojmë shtypjen e Izraelit kundër Gazës dhe gjithë Palestinës”.

Exit mobile version