PËRBËRËSIT: patëllxhanë të gjatë, 2-3 thelpinj hudhër, vaj ulliri, 6-7 domate qershiza ose 2-3 domate të qëruara e të prera në kubikë, djathë kaçkavall i grirë, nenexhik i tharë, uthull, piper, 3-4 gjethe borziloku dhe bukë e fortë.
PËRGATITJA: Bukën e thërrmuar e vëmë në një tas dhe e spërkatim me uthull, derisa të laget mirë, por jo të behet qull. Patëllxhanët i presim në feta jo shumë të holla, i spërkasim me kripë kokërrmadhe, i vëmë te kullesa e makaronave, me një peshë sipër, dhe i lëmë rreth 30 minuta që të humbasin hidhësinë. Pas kësaj kohe i shpëlajmë me ujë të bollshëm dhe i thajmë me letër kuzhine. Vëmë në zjarr mesatar një tigan me vaj ulliri dhe skuqim patëllxhanët bashkë me 2-3 thelpinj hudhër. Kur patëllxhanët të jenë skuqur shtojmë domatet, 3-4 gjethe borziloku dhe e lëmë tiganin në zjarr për rreth 5 minuta. Pas kësaj kohe shtojmë thërrimet e bukës të lagura në uthull dhe të shtrydhura me dorë, nenexhik të tharë, djathë të grirë, piper të zi pluhur dhe e lëmë tiganin në zjarr edhe 10 minuta.
Kjo recetë u përgatit nga Linda Fishta