Ballina Kuzhinë Pastiço me Kungulleshka – Receta e Lehtë me Aromë Fantastike

Pastiço me Kungulleshka – Receta e Lehtë me Aromë Fantastike

Pastiço është një gatim i thjeshtë si në përgatitje ashtu edhe në shije.
Nuk duhen shumë përbërës dhe zotësi për ta servirur gati në tryezë në fare pak kohë.

Megjithatë pikërisht shija e thjeshtë është ajo që e bën edhe më të kërkuar e të dashur për çdo anëtar të famijes.

Përgatitet me makarona, qumësht, djathë dhe vezë, por në recetën e sotme do t’ju shpjegojmë një shije ndryshe nga ajo tradicionalia.

Pa përdorur fare makarona, në këtë recetë do të provoni pastiço me kungulleshka dhe mish të grirë.
Pastiço me kungulleshka ka një shije të veçantë e njëkohësisht shumë të dashur për këdo që e provon.

Kungulleshkat do t’i japin një shije të lehtë dhe më interesante pastiços së zakonshme, ndaj ndiqeni përgatitjen e saj më poshtë.

Përbërësit

  • 500 gr kungulleshka
  • 130 gr mish i grirë
  • 2 domate mesatare
  • 100 ml krem qumështi ose pana
  • 2 vezë
  • 150 ml qumësht
  • 60 gr djathë kaçkavall
  • 30 gr djathë kaçkavall i grirë
  • 1 thelbi hudhër
  • arrë moskat
  • borzilok
  • rigon
  • vaj ulliri
  • kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të vini mishin e grirë të skuqet në një tigan me pak vaj.

Më pas lani dhe prisni kungulleshkat në katrorë të vegjël.

Hidhini edhe ato të skuqen në një tigan, bashkë me pak vaj ulliri dhe 1 thelbi hudhër.

Në fund shtoni edhe domatet e grira në rende dhe lërini ne zjarr derisa të ketë avulluar plotësisht uji i tyre.

Gatuajini të gjithë këta përbërës duke i shtuar pak borzilok dhe rigon për aromë të mirë.

Bëni kujdes që të mos i zbusni shumë kungulleshkat, pasi ato duhet të jenë krokante.

Ndërkohë në një enë të pastër hidhni vezët, kremin e qumështin (panën), qumështin, kripën dhe pak pluhur arre moskat.

Përzjejini mirë të gjithë këta përbërës, derisa të përfitoni një masë të lëngshme e të njëtrajtshme.

Zgjidhni më pas një tavë pjekje mesatare, të thellë rreth 20 cm dhe shtroni me kujdes mishin dhe kungulleshkat.

Shtoni po aty edhe përzierjen e qumështit me vezët që përgatitët më parë dhe djathin kaçkavall e prerë në katrorë të vegjël.

Përzjejini me kujdes të gjithë këta përbërës në tavë dhe më pas shtoni pak djathë të grirë kaçkavall sipër.

Futeni tavën në furrë të parangrohur për 30 minuta në temperaturë 180 gradë C.

Bëni kujdes që në 5 minutat e fundit të ngrini pak temperaturën e furrës në mënyrë që të piqet pjesa e sipër e tavës.

Kur të shikoni që ka marrë ngjyrë të artë dhe është pjekur, nxirreni nga furra dhe shërbejeni të ngrohtë pastiçon tuaj të veçantë.

Exit mobile version