Pasojat e luftës në Ukrainë, shefi i OKB-së ngre alarmin: Pritet një valë e paprecedentë urie dhe mjerimi

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi të mërkurën se pasojat për botën nga pushtimi rus i Ukrainës po përkeqësohen, duke prekur 1.6 miliardë njerëz.

“Ndikimi i luftës në sigurinë ushqimore, energjinë dhe financat është sistematik, i rëndë dhe i përshpejtuar,” tha ai, teksa paraqiti raportin e dytë të OKB-së për pasojat e konfliktit.

Lufta “kërcënon të lëshojë një valë të paprecedentë urie dhe mjerimi, duke lënë kaos social dhe ekonomik pas saj”, shtoi Guterres.

Ndërsa kriza e këtij viti duket se ka të bëjë me mungesën e aksesit në ushqim, kriza e vitit të ardhshëm mund të jetë për mungesën e vetë ushqimit, paralajmëroi ai.

“Ka vetëm një mënyrë për të ndaluar këtë stuhi grumbulluese – pushtimi rus i Ukrainës duhet të përfundojë”, tha Guterres. /panorama