Pasi që vdiq Kadareja…

Ismail Sinani

Kur më 1 korrik u largua nga kjo botë Ismail Kadare, dihej se të paktën për disa ditë rresht do të kishte një shfaqje të papërballueshme emocioni, glorifikimi, mitizimi, por edhe fyerje nga më të ndyrat.

Në kohën kur shkrimtari e ka rrokur penën në dorë, ai ndoshta asnjëherë nuk do të mund ta kishte imagjinuar se do të vijë dita kur më së shumti për penën do të flasin ata që nuk janë të penës…

Tetëdhjetë e tetë vjet më parë, në Gjirokastër, qytet ky me përshpirtshmëri të veçantë, vjen në jetë, Ismail Kadare. Vjen në jetë një njeri me një buzëqeshje të ndrojtur, por edhe mistike e enigmatike. Si duket, siç edhe thotë Alija Izetbegoviqi, njeriu është pasqyrë e brendisë së tij. Fytyra e Kadaresë, në dallim prej shumë bashkëkohësve të tij, të ndjek teksa lexon çdo rresht të dalë nga dora e tij.

Revista “Shenja”, tashmë prej 13 vjetësh, përpiqet të bëhet një arenë dhe burim informacioni e të dhënash për shumë tema, nga ato politike, e deri tek ato sociale, ekonomike, historike, kulturore, religjioze… gjeopolitike… Dhe, vendimi për secilën nga këto tema merret pas një analize e përplasjesh mendimesh nëse duhet kjo apo ajo temë të jetë në sfondin e radhës. Kësaj radhe, Kadareja u imponua për së vdekuri, pa lënë hapësirë për debat. Opusi i tij letrar, gjithsesi, nuk mund të përmbyllet me një numër reviste. Aq më tepër autorët, këto pena të mprehta të revistës, me siguri nuk mund t’i thonë të gjitha “të thënat e të pathënat” për një figurë sikurse kjo e Kadaresë. Por, në një kohë kur fjala e shkruar po zbehet e bastardohet, vendosëm që pa emocione ta trajtojmë profilin e këtij shkrimtari, duke u dhënë mundësi gjithë atyre që shprehën dëshirë për të shkruar pa u bërë ndërhyrjen edhe më të vogël në atë se çfarë thonë.

Zaten edhe letra në formë kërkese dërguar bashkëpunëtorëve të revistës ishte një paralajmërim “për këtë liri” duke dashur kështu që edhe ne mos të biem pre e emocioneve, çfarëdo qofshin ato.

“Më 1 korrik ndërroi jetë shkrimtari Ismail Kadare.

Si shkrimtari më i famshëm shqiptar, emri i tij gjithnjë e ka trazuar jo vetëm botën letrare shqiptare, por edhe mbarë botën intelektuale shqiptare, por jo vetëm.

Duke e parë përmasën e tij artistike, por edhe identitetin e tij intelektual, si edhe qëndrimet e tij ndaj politikës, ndaj historisë, por edhe ndaj artit në përgjithësi, kemi vendosur që këtë numër t’ia kushtojmë pikërisht Ismail Kadaresë.

Redaksia e revistës “Shenja” nuk e paragjykon qasjen që do ta keni ju, që mund të jetë për një vepër të vetme, për një temë të caktuar (historia në veprën e Kadaresë, miti në veprën e Kadaresë, socrealizmi/moderniteti në veprën e Kadaresë, identiteti kombëtar në veprën e Kadaresë) ose edhe tema të tipizimit të artit letrar të Kadaresë në raport me shkrimtarët e tjerë shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës, por edhe me shkrimtarët ballkanikë dhe botërorë, vështrime sociologjike të veprës së tij, çështje që kanë të bëjnë me kandidimin e tij për çmimin Nobël etj., të gjitha këto mund të ishin prurje për ta parë personalitetin dhe veprën e Ismail Kadaresë në plotni dhe nga sa më shumë kënde”.

Siç edhe mund të vërehet, “letra qarkore” ishte e hapur dhe, siç do të thoshin politikanët, “pa ekuivoke”. E duke qenë kështu, duket se revista “Shenja”, pa qenë fare modestë, ia ka dalë ta nxjerrë në pah profilin e Kadaresë si shkrimtar, si poet, si publicist, por edhe si një intelektual që shpesh ka ditur të ngjallë debate, që i kanë prekur edhe “vijat e kuqe” të kombit.

Krahas ngritjes së figurës së tij deri “n’kupë t’qiellit” si shkrimtar e poet, do të mund të lexoni këtu edhe ese që shfaqin vërejte serioze për qasjen e tij kundrejt shkrimtarëve që kanë jetuar jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. Nuk janë të paktë edhe ata që ia përmendin rehatinë nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, siç nuk janë të paktë edhe ata që flasin për gjindshmërinë e tij për të bërë një “sllallom” intelektual për t’i mbijetuar internimit, persekutimit…

E kur jemi te internimi, revista “Shenja” sjell edhe një dokument ekskluziv nga Arkivi i Shqipërisë, i cili flet për përfshirjen e Kadaresë në një “çështje internimi”.

Autorët kanë gëzuar edhe lirinë ta risjellin në pah edhe një herë polemikën e famshme mes Kadaresë dhe kolosit tjetër shqiptar, Rexhep Qosja.

Kjo polemikë, ndonëse e zhvilluar para rreth dy dekadash, disi edhe sot e kësaj dite, ndërsa besojmë se edhe në të ardhmen, do të jetë si shkëndijë shpatash për të diskutuar rreth çështjes së fesë, besimit të shqiptarëve, europianizmit dhe europianizimit të shqiptarëve, identitetit… konvertimit… tema këto që nuk do të shteren asnjëherë derisa do të ketë njerëz që do ta flasin gjuhën shqipe.

Revista “Shenja” nuk pretendon se e ka thënë fjalën e fundit, por përmes këtij numri jemi përpjekur t’i inkurajojmë intelektualët shqiptarë ta thonë fjalën e tyre, duke i qëndruar besnik “moralit akademik”, i cili njeh gjuhën e fakteve.

Kadareja ishte përballë nesh. Ai ka zënë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm në letërsinë shqiptare. Bota, mes tjerash, na ka njohur edhe përmes veprave të tij. Kritikët letrarë, derisa autori ishte gjallë, ndoshta nga fama e ndoshta nga inercioni, thuajse çdoherë kanë folur vetëm me nota pozitive.

Kadareja tashmë gjendet në “botën tjetër”. Gjendet atje “ku të gjithë janë të barabartë”. Ai as nuk mund të dëgjojë e as të kundërshtojë. Ndaj tani e tutje, çdo vepër e tij, çdo poezi e tij, çdo qëndrim i tij do të mund të analizohet më shlirë.

Alegoria e veprave të tij, përmes ngjarjeve dhe personazheve, tashmë qëndron përmbi kreshta, e qasshme për secilin që dëshiron ta shprehë mendimin e tij.

E teksa vepra e tij do të jetë temë debati, ne vdekatarët e rëndomtë do të kemi shumë për të mësuar se si flitet dhe shkruhet shqip…, duke e lexuar Kadarenë dhe jo vetëm.

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Shkruan: Ismail SINANI