Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, së bashku me bashkëshorten e tij Serveten ka votuar të dielën në Fakultetin Filologjik në Prishtinë dhe ju ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje.
“Me bashkëshorten time Serveten, sapo kryem obligimin qytetar të votimit. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ftoj qytetarët që të votojnë sepse kjo është një e drejtë e tyre kushtetuese për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre”, ka thënë Hoti
Ai i ka ftuar të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces zgjedhor që të respektojnë rregullat.
“Ftoj vëzhguesit, komisionerët, organet e rendit, KQZ-në dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në organizimin ose mbikëqyrjen e këtyre zgjedhjeve që të kryejnë punën e tyre sipas ligjit. Nuk kam asnjë dyshim se ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Me zgjedhje të qeta do të vendosim një kulturë qytetare dhe një standard të ri të zgjedhjeve në Kosovë”, ka thënë Hoti.